Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot me kërkesë të mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar caktimin e datës së mbajtjes së seancës për votimin e ekzekutivit.
Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka kohë deri më 4 shkurt që t’ia paraqesë për votim kabinetin e tij deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
VV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve rreth postit të kryeparlamentarit dhe atij të presidentit.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në orën 09:00 për të shqyrtuar kërkesën e Albin Kurtit.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.
Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.
Për disa javë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë zhvilluar negociata, mirëpo ato nuk kanë sjellë si rezultat ndonjë marrëveshje koalicioni.
Aktualisht, Kosova qeveriset nga qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por e cila ka kompetenca të kufizuara.
Përderisa Vetëvendosjes, si parti fituese, LDK-ja nuk ia ka kontestuar pozitën e kryeministrit, kjo e fundit ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka marrë nën drejtim Vetëvendosja që nga data e konstituimit të Kuvendit, më 26 dhjetor. /Express/








