Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka mohuar fajësinë se ka ndikuar që të punësohet vajza e tij në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë.
Për këtë ai, ai ngarkohet me veprën penale të konfliktit të interesit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, kreu i Komunës së Klinës, është deklaruar i pafajshëm lidhur me një akuzë të tillë.
Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja e çështjes, Violeta Husaj-Rugova, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Kujtim Kërveshi, se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtën që të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndërsa, seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 28 janar 2020, në ora 9:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.
Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.








