Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media nga selia e tij, ka folur edhe rreth përplasjes së fundit ndërmjet dy nënkryetarëve, Agim Veliu dhe Vjosa Osmani, sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje
Mustafa nuk ia ka mbajtur anën asnjërit. Ai ka thënë se LDK-ja është një parti shumë e madhe dhe se secili ka të drejtë të shprehë mendimet e tij.
Përveç tjerash ka bërë të ditur se janë të gatshëm t'i vazhdojnë negociatat me LV-në dhe, gjithashtu, ka treguar se nuk do ta shqyrtojnë në organet e partisë ofertën e fundit të Vetëvendosjes.
“Ne kemi një parti të madhe, shumë të madhe, në të cilën njerëzit kanë të drejtën ta thonë mendimin e tyre. Por ajo që mund të themi është që ne nuk e kemi trajtuar në organet tona letrën e LV-së dhe se ajo letër nuk do të trajtohet, por do të trajtohen vetëm parimet tona të marrëveshjes, dhe mbi këto parime, ose vazhdojmë ose s’vazhdojmë ta bëjmë marrëveshjen”, ka thënë Mustafa.
Agim Veliu dhe Vjosa Osmani dje janë përplasur në distancë rreth ofertës së VV-së. Derisa Veliu e cilësonte si një ofertë joserioze, Osmani në anën tjetër thoshte se çfarëdo përpjekje për afrimin e palëve duhet të konsiderohet si serioze dhe të diskutohet në organet e LDK-së. /GazetaExpress/








