6 maji i vitit 2025 nuk ishte thjesht ajo dita kur një futbollist në fushën e futbollit u lëndua. Ishte dita kur koha u 'ndal' për Oltion Bilallin, për familjen e tij, për bashkëlojtarët që e panë shokun e tyre të shtrirë pa ndjenja në fushë, dhe për shumë tifozë që u mpinë duke pritur një shenjë jete.
Përplasja e rëndë me portierin kundërshtar dhe rënia në tokë nuk i ‘morën’ vetëm frymën për pak çaste – ia vunë në pikëpyetje karrierën, shëndetin dhe të ardhmen.
Aty, mes sirenave të ambulancës dhe duarve të ngrira në tribuna, askush nuk e dinte nëse Oltioni do të zgjohej si më parë, e aq më pak nëse do të luante sërish.
Në spital, mes mureve të bardha dhe orëve të gjata, u zhvillua beteja e tij më e vështirë. Jo një ndeshje. Jo një duel në fushë. Por një luftë për t’u ringritur, për t’u rikthyer, për të mos u dorëzuar. Dhe tani, pas gjashtë muajsh heshtje, frike dhe shprese, Oltion Bilalli është sërish këtu - më i fortë dhe më i vendosur se kurrë.
Në një rrëfim për “Gazeta Express”, Bilalli ka treguar për vështirësitë e tij, por që asnjëherë nuk ngurroi t’i falënderojë ata që e ndihmuan.

“Momenti i lëndimit ka qenë ndër më të vështirët në karrierën time. Gjithçka ndodhi papritur, dhe kur mësova për dëmtimet – gjakderdhja në tru, fraktura në fytyrë dhe dëmtimi i kanalit të veshit – e kuptova që më priste një betejë e vështirë. Ditët e para ishin të rënda, por me kalimin e kohës pranova situatën dhe vendosa të luftoja për t’u rikthyer,” rrëfen Oltioni.
Ai shtoi duke thënë se fizikisht rikuperimi ka qenë i vështirë, por pjesa më sfiduese ka qenë ajo mendore.
“Fizikisht ka qenë shumë e vështirë, sepse trupi kishte pësuar dëmtime serioze. Por pjesa mendore ka qenë edhe më sfiduese. Të përballesh me pasigurinë, me frikën mos rikthehesh dot njësoj, kërkon shumë forcë. Mësova të jem i durueshëm dhe të besoj në process”, tha Bilalli për “Express”.
Mbështetja e familjes, bashkëlojtarëve dhe klubit ka qenë vendimtare sipas tij.

“Mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme. Familja ime ka qenë forca ime më e madhe, bashkëlojtarët dhe trajnerët më kanë qëndruar pranë çdo ditë, ndërsa klubi ka bërë gjithçka që unë të kthehem i shëndoshë. Pa ta, rikthimi do të ishte shumë më i vështirë”, bëri me dije ai.
Pas muajve të vështirë, dita e rikthimit në fushë ishte e paharrueshme për të.
“E ndjeja çdo ditë se jam gati dhe kur mjekët më thanë se gjithçka ishte në rregull. Normalisht, para ndeshjes së parë kisha pak emocione – është e natyrshme pas një lëndimi kaq të rëndë. Por sapo hyra në fushë, isha shumë i lumtur”, vazhdoi ai.

Momenti kulminant erdhi me golin e parë pas rikthimit. Bilalli shënoi në ndeshjen e Kupës së Kosovës ndaj Istogut mesjavën e kaluar.
“Ishte një moment i paharrueshëm. Atë gol nuk e shënova vetëm për vete, por për të gjithë ata që më kanë përkrahur. Ishte shpërblimi më i madh pas gjithë sakrificave”, tha Bilalli.
Rikthimi nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e stafit mjekësor, që punuan me të shumë: “Trajneri më ka dhënë besim dhe durim, duke më rikthyer hap pas hapi. Stafi mjekësor ka bërë një punë të jashtëzakonshme; u janë përkushtuar çdo detaji. Pa ta, ky rikthim nuk do të ishte i mundur”.
Tani, pas gjithë kësaj beteje, Bilalli ndihet më i fortë dhe i motivuar se kurrë.
“Të rikthehem në fushë pas kaq muajsh pauzë është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë. Futbolli është pjesë e jetës sime dhe mungesa ka qenë e vështirë. Tani ndihem i lumtur, mirënjohës dhe më i motivuar se kurrë”, tha 23-vjeçari.
Pas rikthimit në fushë dhe shënimit të golit, Bilalli është i prirë për t’u rikthyer në formë.
“Synimi im është të rikthehem në formën më të mirë të mundshme, të ndihmoj ekipin dhe të kontribuoj me gola e paraqitje të mira. Afatgjatë, dua të zhvillohem edhe më shumë si lojtar dhe të arrij majat e karrierës”, shtoi futbollisti për “Gazeta Express”.

Bilalli pati një mesazh të veçantë për tifozët e Gjilanit, “Skifterat”.
“Falenderimi im për ta është i pafund. Kam marrë shumë mesazhe, shumë mbështetje dhe më kanë dhënë forcë në ditët më të vështira. Jam krenar që luaj për SC Gjilanin”, u shpreh Bilalli.
Mësimet e nxjerra nga kjo përvojë e vështirë janë të qarta për Bilallin: “Po, pa dyshim. Kam mësuar të mos dorëzohem, të jem më i durueshëm dhe më i fortë emocionalisht.”
Duke parë përpara, ai beson te skuadra e momentit te Gjilani dhe potenciali i saj, duke thënë se “kanë cilësi”.
“Skuadra ka potencial të madh. Kemi cilësi të jashtzakonshme dhe besoj se mund të arrijmë objektiva të rëndësishme këtë sezon”, përfundoi ai./GazetaExpress/








