Sipas raportimeve të fundit, një nga gjyqtarët më me emër në futbollin e Kosovës, Genc Nuza është suspenduar me katër ndeshje nga Federata e Futbollit e Kosoës.
Raportohet se arsyeja e suspendimit të tij nga FFK-ja është se ai ka fyer drejtuesit e klubit të Gjilanit.
“Federata e Futbollit e Kosovës ka suspenduar për katër xhiro, gjyqtarin kryesor të ndeshjes Gjilani – Dukagjini, Genc Nuza për fyerjet që ky i fundit ka bërë ndaj drejtusve të Gjilanit”, thuhet në raportimin e “Kanal 10”.
Nuza ishte gjyqtar kryesor në ndeshjen Gjilani 0-2 Dukagjini, e luajtur ditën e martë të 28 tetorit.
Pikërisht për këtë ndeshje, edhe Gjilani nuk ka shpëtuar pa dënime, po ashtu për ofendime ndaj gjyqtarit kryesor.
Me vendim të Komisionit Disiplinor dhe të Etikës të FFK-së, Gjilani është gjobitur me 1.200 euro për dështim në organizimin e ndeshjes kundër Dukagjinit.
Zyrtarët e klubit nuk kishin ndërmarrë masat e nevojshme ndaj personave të paautorizuar që kishin hyrë në lokalet zyrtare, në korridor dhe në parkingun e stadiumit.
Komisioni ka konstatuar gjithashtu ofendime dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, të cilat vazhduan edhe jashtë ambienteve të stadiumit.
Si pasojë, sekretari i klubit, Mirand Avdiu, dhe përfaqësuesi për siguri, Adonis Maloku, janë dënuar me dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare për ofendimet ndaj gjyqtarit kryesor.
Në postimin për gjyqtarët që do të ndajnë drejtësinë në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës, emri i Genc Nuzës nuk figuron fare. Aty nuk është as emri i Visar Kastratit dhe as i Mervan Bejtullahut./GazetaExpress/








