Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka kujtuar në 14-vjetorin e vdekjes ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Lideri i LV-së ka deklaruar se Rugova ka qenë intelektual e humanist, që i ka evituar konfliktet e të cilin e ka vlerësuar si shqiptar të urtë që e do popullin e tij, raporton Gazeta Express
Kurti ka kujtuar edhe atë që historiani britanik Noel Malcolm ka deklaruar për Ibrahim Rugovën.
“Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës”, shton ai.
Lideri i LV-së e ka publikuar edhe një intervistë të Rugovës dhënë në vitin 1992.
Në këtë intervistë, Rugova kishte deklaruar se Kosova është e gatshme që të deklarohet shtet neutral dhe të heqë dorë tani për tani nga bashkimi me Shqipërinë.
“Sidoqoftë, më duhet ta pranoj se qëllimi ynë, për t'iu bashkangjitur Shqipërisë, është një synim i natyrshëm”, kishte thënë ish-presidenti i Kosovës.
Tutje, Kurti ka shpërndarë edhe një pjesë të intervistës që Rugova e kishte dhënë për revistën Zëri në shtator të vitit 1991.
“Ne zhvillojmë luftë në Kosovë që dhjetë vjet, por nëse vjen deri te konflikti i hapur, normalisht se do të dimë se si të mbrohemi. Kuptohet, Shqipëria është këtu, madje do të kërkojmë ndihmë nga të gjithë ata që përkrahin çështjen tonë. Shpresoj se nuk do të ketë luftë, por ne shqiptarët luftën dhe vdekjen i kemi gjithmonë me vete, kështu që as luftës eventuale nuk i frikohemi. Nëse vjen deri te lufta, të jetë me sa më pak viktima sepse ne edhe ashtu dhamë shumë bij e bija krejt të rinjë për çështjen tonë. Internacionalizimi i çështjes sonë u bë pikë së pari duke iu falënderuar atyre që dhanë jetën për Kosovën”, kishte deklaruar ai. /GazetaExpress/








