Diskutimi për ndërtimin e lagjes së re te Liqeni i Badovcit, po e përplas Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Krejt kjo pasi të martën Komuna ka publikuar disa dokumente, ku thuhet se Ministria e ka obliguar t’ia lëshojë lejen e kushteve ndërtimore pronarit të tokës, Rahman Haradini. Ministria ndërkaq thotë se ky pretendim i Komunës së Prishtinës nuk është i vërtetë
Çështja e ndërtimit të një lagje të re te Liqeni i Badovcit ka nxitur një konflikt në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar ka lëshuar leje për kushtet ndërtimore, për pronarin e tokës ku është planifikohet të kryhen ndërtimet.
“Në shtator të vitit 2017 pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Në vitin 2018 Komuna ka marr Vendim Refuzues për Kushtet, për shkak të vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur. Pala është ankuar në shkallën e dytë në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marr vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës, të publikuar të martën mbrëma.
E ndaj kësaj deklarate të KP’së, ka reaguar Ministria e Mjedisit.
“Në asnjë mënyrë MMPH në Vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi”, thotë MMPH’ja në reagimin e saj.
Madje, MMPH’ja thekson se Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje Ministrit Fatmir Matoshi, në kërkesën e tij për sqarimin rreth shqetësimit të qytetarëve lidhur me iniciativën për ndërtim te Liqeni i Badovcit.
“Për më tepër MMPH gjegjësisht ministri Matoshi me datë 13.01.2020 i dërgon shkresë komunës së Prishtinës përkatësisht Kërkesë për informim (Nr.110/20) lidhur me rastin në fjale. Komuna akoma nuk ka kthyer përgjigje. MMPH-ja ka angazhuar inspektoret e saj të vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’ju bëjnë me dije se në çfarëdo rasti të kenë shkelje eventuale, do të ndermirën masa meritore”, thekson komunikata.








