Edhe preteksti, të cilin Putini e përdori për të justifikuar sulmin e tij mbi Ukrainën, gjendet i artikuluar në shkrimet e Ilyin-it. Aty e gjejmë frazën e “unitetit vëllazëror të Rusisë me Ukrainën”, të cilën e përmendi Putini në ditën kur njoftoi fillimin e sulmit. Për Ilyin-in ai që flet për një Ukrainë të ndarë nga Rusia është armik i Rusisë. Kur bolshevizmi të jetë zhdukur, Ukraina duhet të shkrihet brenda Rusisë, si pjesë integrale e saj. Kuptohet, nëse kjo nuk bëhet me vetëdëshirë, duhet të bëhet përmes fuqisë së tankeve
Blerim Latifi
Viti 2005. Në Moskë zhvillohet një ceremoni e madhe shtetërore. Nën patronatin e vetë presidentit rus Vladimir Putin. Është ceremoni varrimi. Në fakt, rivarrimi. Eshtrat e filozofit rus Ivan Ilyin, të cilat preheshin në Zvicër që nga viti 1954, janë sjellur për t’u rivarrosur në Rusi. Putini mban fjalim pranë arkivolit të tij. Në ndërkohë, shkrimeve të Ilyin-it u është hequr pluhuri i harresës dhe ka filluar ribotimi i tyre nën kujdesin e veçantë të Kremlinit. Në shtetin e Miçiganit, në Amerikë, janë zbuluar dorëshkrime të tjera të Ilyin-it. Putini ka dërguar një emisar të tij special për t’i marrë ato. Para Dumës Ruse Putini citon vazhdimisht pjesë nga shkrimet e filozofit të tij të preferuar. Duket se ai e ka gjetur fanarin e tij ndriçues.
Po kush është Ivan Ilyin dhe pse Putini ka gjetur tek ai mendimtarin që i duhet për t’i dhënë një bazë filozofike vizionit të tij për Rusinë e shekullit 21?
Ivan Ilyin është lindur në Moskë, në një familje aristokratike, në vitin 1883. Babai i tij ishte komandant i gardës që siguronte qetësinë e Carit në kështjellën e Kremlinit. I dhënë pas filozofisë, në vitet e rinisë Ilyin studionte me pasion filozofët e liberalizmit dhe të demokracisë. Ai ëndërronte për një Rusi demokratike dhe liberale, në një kohë kur marksistët rusë, në krye me Leninin, bënin thirrje për revolucionin komunist në Rusi, ndërsa ideologët e carizmit kapeshin fort pas pansllavizmit ortodoks.
Pas specializimit në filozofinë e Idealizmit gjerman, ai u bë filozof i së drejtës në Universitetin e Moskës, ku edhe e gjeti Revolucioni Bolshevik i vitit 1917. Më pas shpërtheu Lufta civile në Rusi dhe Ilyin e pa veten në taborin e forcave antibolshevike. Kur Lufta civile përfundoi me fitoren e bolshevikëve të Leninit, Ivan Ilyin, si shumë intelektualë të tjerë antikomunistë, u detyrua të largohej nga Rusia. Ai iku bashkë me trupat e gjeneralit Peter Vrangel, të cilat u vendosën në Serbi, por Ilyin u nda prej tyre dhe u vendos në Itali. Këtu Musolini sapo kishte bërë të famshmin “Marshimi mbi Romë”, me të cilin ai e kishte marrë pushtetin në Itali. Metodat diktatoriale dhe retorika e zjarrtë antikomuniste e Musolinit, e kishin fascinuar Ilyin-in. Ai nisi të ëndërronte për një Marshim mbi Moskë, të ngjashëm me atë të Musolinit. Ai besonte se idetë mbi demokracinë dhe liberalizmin kishin marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe bota e ardhshme do të ishte një botë e ndarë midis fashizmit dhe komunizmit. Bindjet e reja të Ilyin-it u përforcuan edhe më shumë kur ai u vendos në Berlin. Edhe këtu ai u fascinua nga retorika e nazistëve dhe nuk e fshihte zilinë që kishte për faktin se Musolini e Hitleri ishin shfaqur në Romë e Berlin dhe jo në Moskë. Ajo që ai nuk e miratonte tek fashizmi italian dhe nazizmi gjerman, ishte mungesa e dimensionit religjioz në doktrinat e tyre. Si fashizmi ashtu e nazizmi ishin religjione politike që donin të zëvendësonin krejtësisht krishterimin, ndërkaq, Ilyin, - i cili kishte në mendje faktin se një religjion tjetër politik, edhe më antifetar se fashizmi e nazizmi, pra bolshevizmi, kishte marrë pushtetin në atdheun e tij,- mendonte se fashizmi në Rusi domosdoshmërisht duhej të shfaqej si fashizëm i lidhur ngushtë me krishterimin rus. Ai, pra, duhej të ishte fashizëm kristian. Në sytë e tij Rusia nuk mund të bëhej e madhe duke ndjekur idetë politike të Perëndimit, siç kishte bërë duke u dhënë pushtetin bolshevikëve të frymëzuar nga marksizmi. Rusia mund të kthehej në një fuqi që diktonte fatet e botës vetëm duke u rikthyer në krishterimin e saj ortodoks, i cili, pas rënies së Konstandinopojës me 1453, e kishte krijuar përfytyrimin për Rusinë si Roma e Tretë.
Një regjim politik autoritarist dilte natyrshëm nga ideja e këtij rikthimi, sepse, sikurse dihet, raporti midis religjionit dhe shtetit në krishterimin ortodoks, është raport cezaro-papist. Cezaro-papizmi është një formulë politike në të cilën autoriteti religjioz i subordinohet ( nënshtrohet) autoritetit politik. Thënë shkurt e shqip: është Cezari ai që vendos së kush do të jetë papa. Në këtë raport subordinimi religjioni shndërrohet në një instrument që bekon e legjitimon autoritetin politik dhe qëllimet e tij. Siç në fakt bëri këto ditë edhe Patriarku Kiril i Moskës, i cili doli dhe tha se lufta e Putinit në Ukrainë e ka bekimin e Zotit. Siç në fakt bën edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila bekon vazhdimisht liderët nacionalistë të Serbisë, kur ata nisin çmenduritë për krijimin e Serbisë së Madhe.
Por që Rusia të rimerrte rolin e saj mesianik në botë, duhej më parë që ajo vetë të shpëtohej. Dhe kjo, për Ilyin-in, nuk mund të bëhej përmes revolucioneve demokratike të masave popullore, por përmes ardhjes në pushtet të një lideri të gjithfuqishëm, të mbështetur nga kisha ruse. Sipas Ilyin-it ky lider duhej të ketë staturën e një Hitleri apo Musolini. Autoriteti i tij duhet të jetë mbi ligjet. Ligji themelor i tij duhet të jetë arbitrariteti i vullnetit të tij sovran. Ai nuk duhet të shqetësohet për “idetë dekadente Perëndimit të kalbur”, siç janë ato mbi sundimin e ligjit dhe procedurat demokratike të ushtrimit të pushtetit.
Në vend të lidhjes demokratiko-liberale me popullin, ky lider i gjithfuqishëm duhet të ndërtojë marrëdhënien e tij mistike me popullin, për të cilën do të kujdesen Kisha Ortodokse Ruse dhe hagjiografët e historisë ruse. Me fjalë të tjera : këtë lider të gjithëfuqishëm populli rus duhet ta përjetojë si mishërim të Mesisë, si Shpëtimtarin dhe Kujdestarin e Fatit të Rusisë.
Kjo është arsyeja themelore pse Putini e ka zbuluar dashurinë e tij intelektuale të Ivan Ilyin-i. Ai e ka bindur vetën, mbase edhe rusët e thjeshtë, dhe tani do të bindë edhe botën, se roli i tij është pikërisht ky: t’i prijë Rusisë në misionin e rimëkëmbjes dhe të fuqizimit të madh, pas rënies së madhe që i ndodhi asaj me fundin e komunizmit. Që ta përmbush këtë rol, atij i duhet të ketë gjithë pushtetin në duart e tij. Dhe që ta ketë gjithë pushtetin në duart e tij, është e nevojshme që demokracia, me doktrinën e saj të ndarjes së pushteteve, të shpallet kërcënim për Rusinë, si dhe formë e panatyrshme politike për popullin rus.
Shkrimet e Ivan Ilyin-it, që janë të mbushura me retorikë kundër Perëndimit demokratik dhe ndjenjave antiruse të tij, do t’i kenë mjaftuar Putinit për të krijuar bindjen se Perëndimi natë e ditë është duke punuar kundër fuqizimit të Rusisë, madje edhe për shkatërrimin e saj.
Edhe preteksti, të cilin Putini e përdori për të justifikuar sulmin e tij mbi Ukrainën, gjendet i artikuluar në shkrimet e Ilyin-it. Aty e gjejmë frazën e “unitetit vëllazëror të Rusisë me Ukrainën”, të cilën e përmendi Putini në ditën kur njoftoi fillimin e sulmit.
Për Ilyin-in ai që flet për një Ukrainë të ndarë nga Rusia është armik i Rusisë. Kur bolshevizmi të jetë zhdukur, Ukraina duhet të shkrihet brenda Rusisë, si pjesë integrale e saj. Kuptohet, nëse kjo nuk bëhet me vetëdëshirë, duhet të bëhet përmes fuqisë së tankeve.
Ky është Ivan Ilyin, filozofi rus, që nga liberalizmi i hershëm përfundoi në fashizëm, nga ëndrra për një Rusi ku sundon ligji, në ëndrrën për një Rusi ku sundon një Fyhrer i mbuluar me petkat e një shenjtori.
Shembulli i tij na tregon për një dukuri më të gjerë intelektuale të historisë ruse : pafuqinë e elitave kulturore ruse për të përpunuar një alternativë demokratike e liberale, qoftë në përballje me absolutizmin carist, qoftë në përballje me totalitarizmin sovjetik. Kjo nuk do të thotë se kanë munguar zërat në kërkim të kësaj alternative. Ata gjithmonë kanë ekzistuar, por ndikimi i tyre vazhdimisht ka qenë i dobët. Siç në fakt është edhe sot. Për fatin e keq të Rusisë. Të fqinjëve të saj. Dhe të gjithë Evropës.
/Ky tekst është mbështetur në dy libra që trajtojnë historinë intelektuale të Rusisë:
1. Timothy D. Snyder, THE ROAD TO UNFREEDOM, Tim Duggan Books, New York, 2018.
2. Frederick C.Copleston, PHILOSOPHY IN RUSSIA, FROM HERZEN TO LENIN AND BERDYAEV, Univesity of Notre Dame Press, 1986.








