Dy zyrtarë të lartë të Telekomit të Kosovës, një mospajtim mes tyre vendosën që ta zgjidhin duke u rrahur në njërën nga kafenetë e Prishtinës, derisa njëri nga ta hesapet provoi t’i lante edhe duke nxjerrë armën, me të cilën gjatë konfliktit plagosi veten. Gazeta Express sjell detaje
Ahengu i organizuar nga kompania publike Telekom për fundvit, u shndërrua në makth për disa nga punëtorët që e panë përleshjen që ndodhi në mes të Shaban Ramajt e Arsim Ramadanit, të dy zyrtarë të lartë në këtë institucion.
Një mospajtim në mes të këtyre dyve do të fillonte me përleshje fizike, derisa më vonë edhe u nxorën armët me të cilat u tentua të lahen hesapet.
Shaban Ramaj e Arsim Ramadani të dy zëvendësdrejtorë të shërbimeve të logjistikës që ishin rehatuar në kompani në dy pozita të larta, në valën e fundit të emërimeve për të cilat është kritikuar ashpër Telekomi, dyshohet se ishin cak i konfliktit.
Ramaj në konflikt e sipër me Ramadanin do ta nxirrte armën nga brezi, e gjatë përleshjes Shaban Ramaj do të vetëplagosej.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka konfirmuar rastin, duke thënë se plagosja ka ndodhur në rrugën “Enver Zymberi”, pak para mesnatës.
“Dje në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë, rreth orës 23:40 në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, përfundon raporti.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë që është duke u marrë me hetimet ka thënë për Express se ende nuk kanë detaje të reja se cila kishte qenë arsyeja e konfliktit.
“Është një person i ndaluar 48 orë për armëmbajtje pa leje, edhe rrezikim të jetës së një personi, jemi në koordinim me policinë për veprime të mëtutjeshme”, ka bërë të ditur Laureta Ulaj, zëdhënëse e prokurorisë.
Nga zyra për informim në QKUK kanë konfirmuar për Express se i vetëplagosuri ka marrë ndihmë nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, dhe pastaj është liruar në shtëpi.

Nga burime brenda Telekomit të Kosovës, është mohuar se këta të dy mund të kenë pasur konflikt lidhur me pozitën që kanë, derisa sipas ligjit të dy mund të mbajnë pozitën sepse çdo drejtor ka nga dy zëvendës.
Mirëpo, Ramaj dhe Ramadani nuk do të shpëtojnë pa dalë për të dhënë llogari për këtë temë para komisionit disiplinor të kompanisë.
Vetë Arsim Ramadani për të cilin organet e rendit kanë konfirmuar se ka qenë i përfshirë, ka zgjedhur ta sqarojë rastin përmes një shkrimi në Facebook edhe pse dëshmitarët e thonë të kundërtën.
Ai mohon se ka qenë i përfshirë në plagosjen e mbrëmshme, mirëpo nuk flet nëse ka qenë i përfshirë në përleshje.
“Unë deklarohem se nuk kam qenë i përfshirë në plagosjen që ka ndodhur mbrëmë”, thotë ai.

Se rasti nuk ka ndodhur ashtu siç konfirmojnë edhe organet e sigurisë është deklaruar përmes mikut të tij edhe i vetëplagosuri.

Zyrtarisht nga Telekomi ende nuk kanë folur për rastin, derisa nga ky institucion distancohen krejt nga kjo ngjarje.
I vetmi reagim që është lëshuar për media ka qenë ai i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri që ka mohuar se i përfshiri në rast ka qenë truprojë e shofer i saj.
Lidhja me politikën e krimin
Ramaj dhe Ramadani janë mirë të njohur për drejtësinë. Arsim Ramadani së bashku me vëllanë e tij Burim Ramadanin e Arben Kiçinën kishin qenë të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, derisa ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme.
Këta ishin falur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 29 dhjetor të vitit 2017, derisa Arsim Ramadani menjëherë ishte rehatuar me një post të lartë në Telekom.
Në anën tjetër, Shaban Ramaj kishte qenë i arrestuar për veprën penale blerje, shitje dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve. Ai kishte qëndruar për disa muaj edhe në burg, mirëpo në kompaninë publike i ishte ruajtur pozita.
“Shaban Ramaj kishte qenë i burgosur në institucionet korrektuese që nga data 16 dhjetor e vitit të kaluar derisa është liruar më 15 mars të këtij viti. I njëjti ka qenë në vuajtje të dënimit për veprën penale: Blerje, shitje dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve”, kanë bërë të ditur institucionet e drejtësisë për Gazetën Express.
Ndryshe, për Ramajn ish-prokuroria e Qarkut në Prishtinë më 15 qershor të vitit 2012 kishte ngritur aktakuzë me pretendimin se në koordinim me disa të dyshuar të tjerë kishin kryer veprën penale trafikim i substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin arritur të sigurojnë dhe të shisnin rreth 50 gramë substanca kokainë dhe kanë kontaktuar dhe bashkëpunuar edhe me persona jashtë Kosovë, si në Shqipëri, Turqi, me qëllim të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, me çka kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje, dhe shitjen e paautorizuar e narkotikëve. Me qëllim që t’i sjellin vetes dobi pasurore ata ishin marrë edhe me trafikim me emigrantë.
Veterani i UÇK-së, Shaban Ramaj, i njohur si Shabi, ishte ndaluar për 48 orë në vitin 2017, pasi që kishte kërcënuar babanë e një dëshmorit, që rastin e kishte paraqitur në polici.
Në profilin e Ramajt në Facebook vërehet edhe lidhja e tij e ngushtë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe deputetin Bekë Berisha. Ramaj madje merret vesh se është kryetar i degës së AAK-së në fshatin Radavc të Pejës.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe deputetin Bekë Berisha, mirëpo përmes telefonit është deklaruar se nuk ka lidhje diçka me këtë temë.
“Nuk kemi lidhje diçka me këtë, nuk kemi informacione, s’kemi çka të deklarojmë”, tha një person që u paraqit në telefon si këshilltar i Berishës. Rastin nuk kanë pranuar ta komentojnë as zyrtarë të tjerë të AAK-së.
Ramaj dhe Ramadani marrin paga të majme nga kompania publike. Të dy këta marrin nga 2,250.83 euro rrogë mujore.
Rrjedhimisht askush nuk ka sqaruar se pse në kompaninë publike Telekom janë duke punuar në pozita drejtuese tash e një kohë persona të lidhur me botën e krimit. /GazetaExpress/











