Pas marrëveshjes për kthimin e linjës ajrore midis Kosovës dhe Serbisë, sot në kryeqytetin gjerman do të negociohet për kthimin e linjës hekurudhore midis të dyja vendeve pas më shumë se dy dekadave, raporton Gazeta Express
Me anë të një vendimi, Ministria e Infrastrukturës ka caktuar personat që do të negociojnë për hekurudhat në Berlin.
Sipas këtij vendimi që ka siguruar Gazeta Express, në takimet në Berlin do të shkojnë Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.
Vendimi është marrë nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe është përcjellë në Qeveri e Presidencë.
Siç raporton Tanjug, duke iu referuar burimeve, delegacioni serb ndërkaq në këtë takim do të udhëhiqet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq. /GazetaExpress/










