Nora Gjakova do të luftojë për medalje të artë olimpike në Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi e mundi japonezen Tsukasa Joshida në gjysmëfinalen e kategorisë deri në 57 kilogramë.
Kalimi i Norës në finale nënkupton se ajo do ta fitojë medaljen e parë olimpike në karrierë dhe të tretën për Kosovën në Lojëra Olimpike në përgjithësi, raporton Gazeta Express.
Në finale për të artën xhudistja nga Peja do të përballet francezen Sarah Leoine Cysique, e cila e mundi kampionen botërore Jessica Klimkait.
Kjo ishte fitorja e parë e Gjakovës ndaj Joshidas pas katër humbjeve radhazi në takimet e mëparshme.
Pavarësisht rezultatit në finale, 28-vjeçarja kosovare e ka të garantuar medaljen e argjendtë.
Pas një lufte të barabartë në kohën e rregullt, u desh koha shtesë dhe shënimi i artë për ta përcaktuar finalisten. Nora e pati fjalën e fundit dhe e hodhi në dysheme japonezen për ta shënuar pikën e artë që ia siguroi finalen.
Për të arritur deri këtu, ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se t’i mposhte me lehtësi Sanne Verhagen në rrethin e dytë, sllovenen Kaja Kajzer në çerekfinale dhe Joshidan në gjysmëfinale.
Nora do të kërkojë ta përsërisë suksesin e Majlinda Kelmendit në Rio 2016 dhe të Distria Krasniqit në këto lojëra duke e fituar medaljen e artë olimpike.
Kjo do të nënkuptonte tri medalje të arta olimpike për Kosovën në historinë e saj dhe të trija në xhudo.
Por pavarësisht rezultatit të Norës ndaj francezes në finale, ajo e ka të garantuar të argjendtën dhe Kosova i ka të garantuara dy medalje nga Tokio 2020. /Gazeta Express/








