Lidhja Demokratike e Kosovës i është përgjigjur ofertës së Albin Kurtit për shtim të numrit të ministrive në 14, duke ia dërguar propozimin që e kishte bërë në takimin e parë pas seancës së 26 dhjetorit. Edhe këtë herë, partia e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kërkuar që t’i kthehet pozita e kryeparlamentarit, që nënkupton se Kurti duhet të sakrifikojë Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në LV në zgjedhjet e gjashtë tetorit, shkruan Gazeta Express
Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga LDK-ja që t'i lajmërojë nëse e pranon apo jo ofertën e tyre, që me gjasë do të jetë e fundit që do ta negociojnë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ia kanë përcjellë sot edhe zyrtarisht propozimin që e ka dhënë qysh pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në të shkruhet se LDK-ja do të pranonte një marrëveshje me LV-në, vetëm në rast se kjo e fundit do t’ia kthente postin e kryeparlamentarit, për të cilën në seancën e 26 dhjetorit është emëruar Glauk Konjufca.
Kjo do të thotë se Lidhja Demokratike ka kërkuar nga Kurti që të urdhërojë dorëheqjen apo shkarkimin e Konjufcës, në mënyrë që kjo pozitë t'i lirohet asaj.
Një skenar i tillë do të ndodhte deri kur të vijë koha për votim të presidentit, që LDK-ja e do për vete. Në rast se në Kuvend arrihen votat e nevojshme për të parin e shtetit, atëherë LV-së do t’i kthehej kryeparlamentari.
Mirëpo, po kjo ofertë që u publikua sot edhe zyrtarisht është refuzuar në parim nga Kurti në takimin në nivel të liderëve.
Kurti i ka thënë Mustafës se pozita e kryeparlamentarit është e kryer dhe e panegociueshme, ndërsa të njëjtit ia ka ofruar një propozim të ri, që nënkupton rritjen e ministrive në 14, me ç'rast dy ministri do të barazohen me kreun e Kuvendit që mban LV-ja. /GazetaExpress/








