Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate lëshuar për media ka dhënë detaje për vizitën që sot e bëri në selinë qendrore të kësaj partie, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Sipas LDK-së, Kosnett nuk ka specifikuar që marrëveshjen për krijimin e Qeverisë duhet ta bëjnë LDK-ja e LV-ja, por 'udhëheqësit politikë' duke lënë të kuptohet se ka edhe opsione tjera, raporton Gazeta Express
Në njoftimin e LDK-së shkruhet se në takim kishin qenë të pranishëm, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, së bashku me tre nënkryetarët e partisë.
Temë kryesore dhe arsye e vizitës bëhet e ditur se ka qenë koalicioni LV – LDK.
“Kryetari Mustafa e njoftoi ambasadorin Kosnett për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, thuhet në njoftim.
Sipas LDK-së, Kosnett ka ftuar udhëheqësit politikë ta formojnë sa më shpejt qeverinë e re.
“Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politikë ta formojnë qeverinë e re, e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, bëhet e ditur. /GazetaExpress/








