LDK ka reaguar pas shkrimit të Gazetës Express se disa prej anëtarëve të kryesisë së saj në mbledhjen e sotme kanë qenë kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Lidhja Demokratike e Kosovës demanton pretendimet e portalit ‘Gazeta Express’, të shprehura në një artikull sot, për kinse emërimin e anëtarëve të Kryesisë së LDK-së që, sipas Express-it, paskan kundërshtuar koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky është një manipulim qëllimkeq që tenton të shtrembërojë qëndrimet dhe zotimet zyrtare të LDK-së”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Ndërkaq LDK përmend se kryesia e saj sot ka treguar gatishmërinë për të vazhduar negociatat me Vetëvendosjen.
Qëndrimi i Kryesisë së LDK-së është bërë i qartë në komunikatën e publikuar sot ku jemi shprehur se “LDK-ja, edhe një herë shpreh gatishmërinë që të vijojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e mirëbesimit dhe të partneritetit.” Ky është qëndrimi zyrtar i LDK-së e jo “burimet e brendshme” pa adresë.








