Gazeta prestigjioze franceze Le Monde shkruan se Serbia po përjeton një përkeqësim serioz të sundimit të ligjit, ndërsa presidenti nacionalist Aleksandar Vuçiç, i akuzuar prej vitesh për lidhje të ngushta politike me Moskën, ka shpallur një reformë të kontestuar të drejtësisë që ka shkaktuar revoltë të hapur brenda institucioneve më elitare të prokurorisë.
Që nga e hëna, më 2 shkurt, dhjetëra punonjës të Prokurorisë për Krim të Organizuar (TOK) në Serbi po ndalojnë simbolikisht punën çdo ditë në orën 09:00 për rreth dhjetë minuta, përpara Gjykatës në Beograd ku gjykohen disa nga kriminelët më të rrezikshëm të Ballkanit. Ata protestojnë kundër reformës së shpallur më 30 janar nga Vuçiçi, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të sindikatave, juristëve, organizatave joqeveritare dhe Bashkimit Evropian.
Shefi i TOK-ut, Mladen Nenadiq, ka paralajmëruar se nëse reforma hyn në fuqi, institucioni që ai drejton do të mbetet me vetëm nëntë prokurorë aktivë.
“Nëse ligji zbatohet siç është paraparë, do të humbasim njëmbëdhjetë prokurorë dhe nëntë të tjerët do të detyrohen të marrin mijëra faqe dosjesh aktive”, ka deklaruar Nenadiq, i njohur për hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me drejtësinë franceze, veçanërisht në rastin e komunikimeve të koduara Sky ECC.
Këto hetime çuan në goditjen e disa grupeve të fuqishme kriminale serbe, të cilat, sipas Le Monde, kishin lidhje të drejtpërdrejta me nivelet më të larta të shtetit.
Nenadiq ka denoncuar publikisht presionin politik dhe klimën armiqësore ndaj prokurorëve që prej momentit kur TOK hapi hetime për korrupsion ndaj disa ministrave të Partisë Progresive Serbe (SNS), partisë së Vuçiçit, e cila sundon vendin që nga viti 2014.
“Funksionarët më të lartë shtetërorë dhe mediat pranë pushtetit na trajtojnë si plehra”, ka deklaruar ai, duke përmendur edhe refuzimin e policisë për të bashkëpunuar në hetime që prekin pushtetin.
Autori i ligjit të kontestuar, deputeti i SNS-së Uglješa Mrdiq, ka deklaruar në televizion se reforma synon të ndalë prokurorët “që donin të arrestonin presidentin Vuçiç” dhe të realizonin “një revolucion me ngjyra”, retorikë kjo që, sipas Le Monde, përputhet me narrativën proruse që dominon diskursin politik në Serbi.
Komisioni Evropian e ka cilësuar reformën si “një hap prapa në rrugën evropiane të Serbisë”, duke theksuar se ajo është miratuar pa konsultime dhe se cenon rëndë pavarësinë e drejtësisë.
Reforma vjen në një moment kur Serbia ndodhet në krizë të thellë politike dhe shoqërore, pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia ndezi protestat më të mëdha në vend që nga rrëzimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000, duke rritur presionin publik për luftë reale kundër korrupsionit.
Sipas Le Monde, ndonëse për më shumë se 30 vjet asnjë ministër nuk ishte përballur me aktakuzë, TOK ka hapur hetime ndaj zyrtarëve të lartë të SNS-së për fryrje çmimesh në projektin e hekurudhës Beograd–Novi Sad, të realizuar nga një kompani kineze, si dhe ka çuar në gjyq ish-ministrin e Kulturës Nikola Selakoviq për abuzim me detyrën dhe falsifikim dokumentesh.
I dobësuar nga protestat masive dhe presioni ndërkombëtar, Vuçiçi ka nisur një ofensivë kundër institucioneve kritike – universiteteve, mediave, kulturës dhe drejtësisë – duke alarmuar Brukselin, i cili synon të frenojë ndikimin rus në Ballkan.
Megjithatë, në një intervistë për Reuters, Vuçiçi ka këmbëngulur se Serbia “do të mbetet në rrugën drejt BE-së sa kohë që ai është president”, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e rishqyrtimit të reformës, vetëm nën presionin e Bashkimit Evropian.








