Disa lista “fantome”, përfshirë edhe ato që paraqiten si përfaqësuese të pakicës ruse, pritet të jenë pjesë e garës në zgjedhjet lokale të 29 marsit në Serbi, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas organizatës joqeveritare CRTA, përbërja dhe emërtimet e disa listave sugjerojnë parregullsi dhe krijimin e një pluralizmi të rremë politik. Drejtori programor i kësaj organizate, Rasha Nedeljkov, vlerëson se “një pjesë e madhe e qytetarëve u mohohet mundësia për të marrë vendime të informuara”, pasi listat fantome krijojnë vetëm iluzionin e alternativave politike.
Në disa komuna ku jeton një numër shumë i vogël i rusëve, si në Aranxhellovac apo Lluçan, në garë janë përfshirë parti që pretendojnë të përfaqësojnë pakicën ruse. Në Aranxhellovac, për shembull, jetojnë vetëm 63 rusë nga rreth 40 mijë banorë, ndërsa në Lluçan vetëm tre.
Pavarësisht kësaj, këto lista janë certifikuar si lista të pakicave, çka u jep atyre përparësi ligjore – më pak nënshkrime për kandidim dhe mundësi për të fituar mandate edhe me më pak se 3 për qind të votave.
Megjithatë, vëzhguesit dhe analistët dyshojnë se qëllimi i tyre nuk është përfaqësimi real i komunitetit rus, por tërheqja e votave nga opozita dhe favorizimi i partive në pushtet.
Raste të mëhershme kanë treguar ndikimin e këtyre listave. Në zgjedhjet lokale në Nish në vitin 2024, një mandat i fituar nga një parti e tillë rezultoi vendimtar për krijimin e shumicës nga koalicioni në pushtet i udhëhequr nga SNS.
Fenomeni nuk kufizohet vetëm te listat e pakicave. Në disa komuna janë paraqitur edhe lista me emra të ngjashëm me ato të opozitës, me qëllim që të ngatërrojnë votuesit dhe të devijojnë votat.
Zgjedhjet e 29 marsit konsiderohen një test i rëndësishëm politik për pushtetin dhe opozitën, në një kohë kur vendi përballet me tensione të brendshme pas protestave masive dhe krizës politike që pasoi tragjedinë në Novi Sad. /REL








