Liverpoolit do t’i mungojë portieri i parë, Alisson Becker, për ndeshjen e së shtunës kundër Bournemouthit dhe ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit. Këtë lajm e ka konfirmuar trajneri Jurgen Klopp.
Liverpooli vendosi t’i japë pushim portierit brazilian për ndeshjen e rundit të pestë të FA Cup kundër Chelseat të martën, ndeshje kjo të cilën Reds e humbën me rezultat 2:0, transmeton Gazeta Express.
Adrian kishte qenë portieri i skuadrës së Jurgen Kloppit në Stamford Bridge dhe ai do ta ketë këtë përgjegjësi edhe për dy ndeshjet e radhës, pasi që trajneri Klopp është detyruar t’i ndërrojë planet për pozitën e portierit.
Ende nuk është plotësisht e qartë se sa gjatë do të jetë jashtë fushës së lojës Alissoni, mirëpo ai mund edhe të mos kthehet deri pas ndeshjeve të radhës të ekipeve kombëtare.
Ky lajm është një goditje e madhe për Liverpoolin në përgatitjet për ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, pasi klubi anglez ishte mposhtur me rezultat 1:0 nga Atletico Madridi në ndeshjen e parë.
“Ai e pati një incident të vogël në stërvitje para ndeshjes kundër Chelseat. Ne të gjithë menduam se s’ishte asgjë e madhe dhe ishte e qartë se ai nuk do të luante në atë ndeshje. Plani kishte qenë që ai të ishte në stol”, ka thënë Klopp.
“Pastaj ai i bëri disa teste mjekësore dhe tani ai do të na mungojë. Ka lëndim muskulor, afër regjionit të ijëve. Ju gazetarët mund ta bëni punën tuaj edhe duke qëndruar palëvizur, por një portier s’mundet. Kjo është situata”.
“Ai do të na mungojë nesër dhe pastaj edhe javën tjetër. Nuk dua të them se do të mungojë edhe në derbin kundër Evertonit, por s’jam i sigurt. Pas pushimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, ai do të kthehet 100 për qind”. /Gazeta Express/








