Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si trajner i Juventusit, Luciano Spalletti tha se kishte provuar ta transferonte Teun Koopmeiners në të kaluarën, por “burimet tona ishin më të vogla se kërkesat e Atalantës”.
Spalletti u prezantua sot si trajneri i ri i Juventusit në një konferencë për shtyp, shkruan “Gazeta Express”.
Tekniku italian iu përgjigj një pyetjeje për mesfushorin holandez Koopmeiners, i cili deri më tani nuk e ka justifikuar çmimin prej 60 milionë eurosh në “Allianz Stadium”:
“E njoh mirë Koopin sepse e kam ndjekur edhe me klube të tjera në të kaluarën. Pastaj, ai kushtonte shumë dhe nuk mundëm ta merrnim,” tha Spalletti.
“Kur fola me të dje, ia kujtova që kishim folur dikur në telefon. Kisha provuar ta bindja, edhe pse burimet tona ishin më të vogla se kërkesat e klubit të tij (Atalantës). Kam ende të njëjtin mendim. Mendoj se ai është një mesfushor mbrojtës ose box-to-box. Ndonjëherë ka luajtur edhe si qendërmbrojtës. Edhe këtu duhet ta përgëzojmë trajnerin, Gaspin, i cili e ka trajnuar mirë dhe ka nxjerrë më të mirën nga ky lojtar, duke e vendosur në një pozicion ndryshe. Ai ushtron presion ndaj kundërshtarëve dhe ka këmbë që, kur gjuan drejt portës, e dinë ku do të përfundojë topi”, tha ai më tutje.
“Nëse e kufizon, duke e bërë të luajë me shpinë nga porta, pranë vijës mbrojtëse të kundërshtarëve, ai nuk ka cilësinë e Yildizit apo Opendas, ose të futbollistëve që janë lindur për atë rol dhe pozicion në fushë. Ai ka cilësi të tjera, por Gasp ka qenë i shkëlqyer duke nxjerrë më të mirën prej tij në atë rol, nga një futbollist që kishte aftësi të tjera”, përfundoi Spalletti./GazetaExpress/








