Luftimet e ashpra tokësorë dhe ajrore po vazhdojnë në Ukrainë, teksa Rusia po mundohet ta pushtojë vendin fqinj.
Mijëra njerëz kanë vdekur deri tash, përfshirë këtu ushtarë apo edhe civilë, shkruan “Gazeta Express”.
E prej viktimave ka edhe sportistë.
Dje u vranë dy futbollistë ukrainas, por kjo nuk është e tëra.

Mediat e huaja raportojnë se garuesi i biatlonit, Yevhen Malyshev e ka humbur jetën derisa po luftonte në atdheun e tij kundër rusëve.
Federata Ukrainase e Biatlonit ka informuar për vdekjen tragjike të 20 vjeçarit.
“Federata raporton për vdekjen tragjike të anëtarit të ekipit kombëtar të Ukrainës nga juniorët e Kharkiv, Yevhen Malyshev, i lindur në vitin 2002. Sportisti e kishte mbyllur karrierën dy vjet më parë. Ne ju shprehim ngushëllime familjarëve, miqve dhe më të dashurve të tij. Do ta kujtojmë gjithmonë”, njofton Federata Ukrainase e Biatlonit.
Shumë sportistë ukrainas në fakt i janë bashkuar ushtrisë ukrainase për ta mbrojtur vendin nga agresori.
Prej tyre edhe ish-kampionët e botës, vëllezërit Klitschko apo edhe kampioni aktual i botës në boksin profesionist, Alexandr Osyk. /Gazeta Express/








