Pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka pritur në takim 10 deputetët e komuniteteve joshumicë. Në njoftimin lëshuar për media nga LV-ja kanë shkruar se vetëm ata dhe Ambasada amerikane kanë arritur t’i takojnë 10 deputetët njëkohësisht, raporton Gazeta Express
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Kollçaku dhe anëtaren e kryesisë, Arbërie Nagavci, janë takuar dje me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
Në shkrimin e Nagavcit në Facebook, thuhet se vetëm LV-ja dhe Ambasada amerikane kanë arritur t’i takojnë 10 deputetët njëkohësisht.
“Ishte kënaqësi që të diskutojmë se si qeveria në ardhje do të ketë në fokus sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik e mirëqenien e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, statusin shoqëror e dallimet tjera.
Në qeverinë Kurti prioritet do të jetë përmbushja e pritjeve të qytetarëve për ndryshim, e kjo u pa dhe në këtë takim.
Të gjithë deputetët e komuniteteve jo shumicë, edhe një herë shprehën mbështetjen për Qeverinë Kurti dhe diskutimi u fokusua në të mirën e përgjithshme, në projektet që përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve, në mbështetje të atyre që kanë më shumë nevojë e në ketë mënyrë në të mirën e secilit”, ka shkruar Nagavci. /GazetaExpress/








