Napoli po kërkon një sulmues të ri qendre për të zëvendësuar Romelu Lukakun, i cili është i dëmtuar, por informacionet e fundit tregojnë se sulmuesi i ri i mundshëm i Partenopeve nuk do të jetë Joshua Zirkzee nga Manchester United, pasi ai nuk është në shitje.
Lukaku do të mungojë për të paktën tre muaj, pas një dëmtimi serioz në kofsh gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Olympiacos të enjten e kaluar, vetëm një javë para ndeshjes hapëse të Serie A kundër Sassuolo, këtë të shtunë.
Raporte të së hënës tregojnë se Napoli do të kthehet në merkato për të sjellë një sulmues të ri, duke marrë parasysh se Lorenzo Lucca, i transferuar këtë verë, është tani sulmuesi i vetëm i njohur i skuadrës, pas largimeve të Giovanni Simeone dhe Giacomo Raspadori në këtë merkato.

Disa emra janë lidhur me mundësinë e bashkimit me skuadrën e Antonio Conte te Stadio Maradona, përfshirë: Zirkzee, bashkëlojtarin e tij te Manchester United, Rasmus Hojlund, Jean-Philippe Mateta nga Crystal Palace, Artem Dovbyk nga Roma, Nikola Krstovic nga Lecce dhe Andrea Pinamonti nga Sassuolo.
Megjithatë, është bërë e qartë se Zirkzee nuk është në shitje, dhe Manchester United synon ta mbajë sulmuesin e mëparshëm të Bolonjës për sezonin 2025-26, sipas raporteve nga disa media italiane. /GazetaExpress/








