Ish-ylli i Barcelonës, Javier Mascherano, shpreson se Neymari i Paris Saint-Germainit do të kthehet në Camp Nou, pasi që ai dëshiron ta shikojë sërish partneritetin mes tij dhe Lionel Messit e Luis Suarezit në sulm.
28-vjeçari Neymari ka qenë i spekuluar për një kthim te gjigantja e La Liga gjatë afatit kalimtar të verës, tre vjet pasi ishte larguar nga atje për t’u transferuar në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro, transmeton Gazeta Express.
Neymari thuhej se e dëshironte një transferim të tillë edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje dhe braziliani mbeti në Parc des Princes.
Megjithatë, shpresa e tij për t’u kthyer në Camp Nou nuk është shuar ende dhe ai shpreson se do të mundë ta realizojë këtë dëshirë të tij këtë verë, kur Barcelona shpreson ta bindë PSG-në me një ofertë më të ulët.
Dhe Mascherano, i cili ishte bashkëlojtar i Neymarit kur Barcelona e mori trofeun e Ligës së Kampionëve në sezonin 2014/15 me fitoren në Berlin kundër Juventusit, shpreson që bashkëkombësi i tij do të kthehet në Camp Nou për ta riformuar partneritetin me Messin dhe Suarezin.
“Një ditë unë e shikova sërish finalen në Berlin dhe treshja e sulmit që ishte krijuar ishte shumë mbresëlënëse: Messi, Neymar dhe Suarez”, ka thënë Mascherano, në një intervistë të dhënë për RAC1.
“Secili prej tyre e kishte një pozitë në skuadër dhe bënin presion pasi e humbnin topin dhe e kontrollin lojën. Ata e shtuan në stilin tonë të lojës një lloj sulmi vdekjeprurës”.
“Shpresoj që Neymari do të kthehet në Barcelonë dhe ata do të luajnë sërish bashkë. Do të ishte një gjë e këndshme për klubin dhe tifozët”. /Gazeta Express/








