Policia italiane njoftoi sot se kishte kapur një rrjet të mafias në Siçili, që ka shpërdoruar miliona euro nga fondet europiane, të destinuara për fermerët.
“Nëntëdhjetë e katër persona janë arrestuar gjatë një operacioni kundër një grupi mafioz në Tortorici”, theksoi prokuroria e Messines në një komunikatë.
Mes personave të arrestuar bëjnë pjesë dy shefa të familjeve mafioze, një noter, sipërmarrës dhe zyrtarë publikë të ngarkuar për akses në këto fonde.
“Që prej vitit 2013, “mafia e Tortoricit”, e cila e merr emrin nga ai i një qyteti që ndodhet në malet e Nebrodias në verilindje të ishullit, ka shpërdoruar rreth 10 milionë euro nga fondet europiane”, njoftoi televizioni publik Rai24.
Për të marrë këto financime europiane, klani mori përsipër të mashtronte për pronësinë e tokave që i përkisnin në realitet rajonit dhe këshillave lokalë.








