Shtatë operatorë kabllorë në RS të Bosnje e Hercegovinës vazhdojnë të transmetojnë programet e gjashtë televizioneve shtetërore ruse, të cilat Bashkimi Evropian i ka ndaluar që prej fillimit të luftës ruse në Ukrainë në vitin 2022, për shkak të përhapjes së dezinformatave dhe propagandës pro-Kremlinit.
Në mesin e mediave të sanksionuara janë Russia Today (RT), Russia 24 dhe Sputnik, të cilat BE i konsideron si instrumente të manipulimit informativ dhe luftës hibride. Sipas Brukselit, këto media kanë justifikuar agresionin ndaj Ukrainës dhe kanë përhapur narrativa që mohojnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.
Një pjesë e operatorëve që i transmetojnë këto kanale në Bosnje janë në pronësi të Telekomit të Serbisë. Sipas të dhënave të Regjistrit të Agjencisë Rregullatore për Komunikime (RAK), kanalet RT dhe Russia 24 janë të disponueshme përmes rrjetit “ELTA-MT” në zonën e Tuzlës dhe “Logosoft” në Sarajevë. Logosoft është në pronësi të Telekomunikacioneve të Republikës Srpska (m:tel), që kontrollohet në shumicë nga Telekom Serbia.
Në entitetin Republika Srpska, kanalet e sanksionuara transmetohen nga pesë operatorë kabllorë, dy prej të cilëve janë në pronësi të m:tel-it, ndërsa të tjerët janë privatë.
Nga Komisioni Evropian për Radion Evropa e Lirë (REL) është theksuar se Bosnja dhe Hercegovina duhet të sigurojë zbatimin e plotë të masave kufizuese të BE-së, përfshirë ato ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Sipas BE-së, manipulimi i huaj me informacione dhe fushatat e dezinformimit paraqesin kërcënim serioz për shoqëritë demokratike.
“Regjimi i Kremlinit i ka shndërruar mediat shtetërore në instrumente të luftës informative”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se ndalimi i RT dhe Sputnikut është masë sigurie dhe jo rregullim i zakonshëm mediatik.
Megjithatë, Agjencia Rregullatore për Komunikime në Bosnje deklaroi se nuk ka kompetencë për të ndaluar transmetimin e ndonjë kanali, por vetëm për të sanksionuar përmbajtje që bie ndesh me ligjin, si gjuha e urrejtjes apo përhapja e qëllimshme e informatave të rreme.
Eksperti i sigurisë Ahmed Kico e cilëson situatën si pjesë të një “lufte hibride kundër Bosnjës”, duke theksuar se qëllimi i Rusisë është të pengojë integrimin e vendit në NATO dhe të zvarrisë procesin e anëtarësimit në BE.
Edhe pse Bosnja ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2022, vendi ende nuk është harmonizuar plotësisht me sanksionet evropiane ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq ka shprehur mbështetje për sanksionet, por zbatimi i tyre në nivel shtetëror po bllokohet nga përfaqësuesit e Republikës Srpska.
Nga ana tjetër, përfaqësues të këtij entiteti pretendojnë se Bosnja nuk ka vendosur zyrtarisht sanksione ndaj Rusisë, duke thelluar përçarjet e brendshme politike rreth kësaj çështjeje.








