Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka thënë se projekti i gazit “Nord Stream 2” mund të shtyhet për disa muaj për shkak të sanksioneve të reja amerikane, por se nuk ka asgjë katastrofale në këtë situatë.
“Sigurisht se do ta përfundojmë ndërtimin e gazsjellësit. Gazprom-i ka mundësi alternative për ta shtrirë atë. Do të marrë pak më shumë kohë, por kjo s’është punë e madhe”, tha kryeministri rus.
“Nuk ka asgjë katastrofale për sanksionet, sidomos duke e marrë parasysh faktin që ne tashmë e kemi arritur një marrëveshje me ukrainasit për transitin”, shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi sanksione kundër gazsjellësit rus të premten e kaluar, duke bërë që një kompani e madhe ta ndërpresë punën në këtë projekt.
Projekti që ka kushtuar 11 miliardë dollarë është pranë përfundimit dhe analistët kanë shprehur dyshime nëse sanksionet e vona do të ndikojnë në ndaljen e zbatimit të tij.
Sipas kompanisë që është duke e ndërtuar këtë gazsjellës, kanë mbetur edhe 160 kilometra përgjatë Detit Baltik që projekti me 2460 kilometra të përfundohet.
Ky projekt pritet ta rrisë varësinë e Evropës ndaj gazit rus, ndonëse analistët thonë se Evropa do të duhej ta zvogëlonte këtë varësi.
Moska i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për përpjekjet që ta bllokojë gazsjellësin rus me qëllim të rritjes së shitjeve të gazit amerikan në Evropë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.








