Cristhian Mosquera ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij me Arsenalin, dhe së shpejti mund të bëjë një ndryshim edhe në nivel ndërkombëtar. Mbrojtësi 21-vjeçar aktualisht përfaqëson Spanjën, por në muajt e ardhshëm ai mund të ndryshojë përfaqësim.
Mosquera, i lindur në Alicante, ka përfaqësuar Spanjën në kategoritë U15, U16, U18, U19, U21 dhe U23, dhe synon një ftesë në ekipin e parë të “La Roja” përpara Kupës së Botës së verës së ardhshme. Megjithatë, nëse ajo ftesë nuk vjen, ekziston mundësia që ai të mos luajë kurrë për Spanjën.
Sipas “Diario AS”, Federata Kolumbiane e Futbollit po përpiqet ta bindë Mosqueran të ndryshojë përfaqësim dhe të luajë për vendin e prindërve të tij. Për ta arritur këtë, kolumbianët i kanë premtuar një vend në skuadrën e tyre për Kupën e Botës 2026.
Në vitin 2023, Federata Kolumbiane tentoi gjithashtu ta bindte Mosqueran të largohej nga Spanja, por atëherë lojtari zgjodhi të qëndronte me “La Roja”. Ai vlerësohet shumë nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), gjë që dëshmohet edhe nga fakti se ai është kapiten i kombëtares U21 të Spanjës. Megjithatë, këtë herë mundësitë për ta ndryshuar përfaqësimin janë më të mëdha, duke qenë se në lojë është pjesëmarrja në një Botëror.
Aktualisht, Mosquera me shumë gjasa nuk do të përfshihet në skuadrën e Spanjës për Kupën e Botës 2026, pasi trajneri Luis de la Fuente preferon lojtarë si Dean Huijsen, Robin Le Normand, Pau Cubarsí, Dani Vivian dhe Aymeric Laporte – dhe midis tyre, Huijsen e Cubarsí janë më të rinj se mbrojtësi i Arsenalit.
Mbetet për t’u parë nëse frika e humbjes së Mosqueras do ta shtyjë RFEF-në t’i japë atij një thirrje të shpejtë në ekipin e parë të Spanjës gjatë muajve në vijim. Por nëse kjo nuk ndodh, ka shumë gjasa që Kolumbia ta bëjë të vetin mbrojtësin e talentuar./GazetaExpress/








