Një mësues në qytetin e Nishit është dënuar me 25 euro gjobë pasi fshiu një grafit me përmbajtje nacionaliste nga oborri i shkollës fillore ku punon. Autoritetet komunale e akuzuan se kishte lyer murin “pa leje”.
Bëhet fjalë për Dejan Petroviq (54), mësues në shkollën “Ucitelj Tasa”, i cili vendosi të mbulojë me bojë të bardhë grafitin me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Sipas tij, mesazhi ishte i papërshtatshëm për një ambient shkollor dhe “nxit konflikt e rikthen shoqërinë në vitet e luftës”.
Petroviq ka deklaruar se grafiti ishte shkruar disa vite më parë dhe se ai i kishte kërkuar disa herë drejtoreshës së shkollës që të hiqej, por nuk kishte pasur reagim. Ai thotë se e kishte njoftuar drejtoreshën për qëllimin e tij për ta hequr me shpenzimet personale dhe, pasi nuk mori kundërshtim, e interpretoi heshtjen si miratim.
Në fillim të shkurtit, gjatë fundjavës kur në shkollë nuk kishte nxënës, ai së bashku me kolegun e tij Rastislav Diniq nga Fronti i Gjelbër-Majtas (ZLF) e lyen murin, duke mbuluar grafitin. Disa ditë më vonë, policia komunale e thirri dhe i dorëzoi një kallëzim për kundërvajtje, pas një ankese anonime se kishte vepruar pa autorizim.
Partia në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS), e dënoi veprimin, duke i quajtur aktivistët e ZLF-së “autoshovinistë”. Kryetari i SNS-së dhe ish-kryeministri Miloš Vuceviq e cilësoi aktin “skandaloz” dhe i akuzoi ata se “urrejnë gjithçka që është serbe”.
Nga ana tjetër, Petroviq mohon se ka shkelur ligjin për arsimin, i cili ndalon veprimtarinë partiake në institucionet arsimore. Ai thekson se veprimi u krye jashtë orarit mësimor dhe me qëllim për të mbrojtur interesin e nxënësve dhe komunitetit shkollor.
Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në shumë qytete të Serbisë që nga viti 2023 dhe është kundërshtuar nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat e konsiderojnë si mesazh që nxit tensione dhe urrejtje. Në disa raste të mëparshme, gjykatat në Beograd kanë liruar aktivistët e ndëshkuar për fshirjen e muraleve të ngjashme, duke vlerësuar se nuk ishte provuar shkelja.








