Fituesi i Topit të Artë ka kritikuar një vendim të sulmuesit Viktor Gyokeres pas zyrtarizimit të transferimit të tij te Arsenali.
Michael Owen ka deklaruar se Viktor Gyokeres tashmë ka bërë një gabim të madh te klubi i tij i ri, Arsenali – ende pa luajtur asnjë minutë.
Sulmuesi suedez kompletoi transferimin e tij nga Sporting CP në fillim të kësaj jave për një shumë fillestare prej 55.1 milionë paundësh, me bonuse shtesë që mund të arrijnë deri në 8.7 milionë.
Ky transferim erdhi pas një sage të gjatë negociatash, gjatë së cilës Gyokeres pati përplasje me presidentin e Sportingut dhe shkoi në grevë për të shtyrë kalimin e tij në Londrën Veriore.
Mikel Arteta kishte shpresuar që ta kishte në dispozicion Gyokeres për fillimin e sezonit përgatitor në Hong Kong dhe Singapor, por ai mungoi në dy ndeshjet e para të turneut.

Në vend të kësaj, 27-vjeçari iu prezantua tifozëve në Singapor para përballjes me Newcastle, duke përshëndetur publikun pak para nisjes së takimit.
Me këtë transferim, Arsenali i jep fund kërkimit të gjatë për një qendërsulmues të mirëfilltë, dhe Gyokeres vjen me pritshmëri të mëdha pas një periudhe shumë të suksesshme te Sporting CP.
Ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Real Madridit, Michael Owen, ndau mendimin e tij për këtë transferim në një intervistë për talkSPORT.
Owen u shpreh:
“Presioni mbi të është i jashtëzakonshëm, sepse Arsenali ka kohë që ka nevojë për një sulmues të qendrës dhe tani më në fund e kanë. Të gjithë mendojnë se ai është pjesa që ka munguar në këtë mozaik. Por ai pastaj vendos të marrë fanellën me numrin 14, gjë që vetëm sa e shton më shumë presionin – sepse hijet e Thierry Henry janë ende të mëdha në atë numër. Nëse shënon dhe luan mirë, atëherë Arsenali do të jetë sërish pretendent serioz. Por nëse jo, atëherë nuk shoh askënd tjetër përveç Liverpoolit si favorit.”

Numri i ri 14 i Arsenalit ka thyer tashmë rekordet e klubit në shitjen e fanellave.
Pas konfirmimit të transferimit të tij ditën e hënë, Arsenali ofroi shtypjen e emrit të Gyokeres falas në fanellat për sezonin e ardhshëm – shërbim që zakonisht kushton 16 paund.
Kërkesa ishte aq e madhe sa faqja zyrtare e klubit u rrëzua përkohësisht nga trafiku i lartë.
Tifozët tani shpresojnë se rekordet e radhës Gyokeres do t’i thyejë në fushën e lojës.
Ai shënoi 97 gola në 102 paraqitje për Sporting CP përgjatë dy sezoneve.
Gyokeres është një atlet i shkëlqyer, që kombinon shpejtësinë dhe fuqinë për të dominuar mbrojtësit kundërshtarë, dhe ka treguar efikasitet të lartë para portës.
Ai vjen në një kohë kur Mikel Arteta dhe Arsenali nuk kanë fituar asnjë trofe madhor në pesë sezonet e fundit.
Në tri sezonet e fundit, Arsenali ka përfunduar si nënkampion në Premier League dhe pavarësisht se ka mposhtur ekipe si Real Madridi në Ligën e Kampionëve, ka dështuar në ndeshjet më të rëndësishme.
Pas një tjetër merkatoje të shtrenjtë, pritet që Arteta dhe Gyokeres ta udhëheqin Arsenalin drejt trofeve. /GazetaExpress/








