Një shpërngulje masive e civilëve nga zonat e kontrolluara nga rebelët ka nisur në Siri. Kjo ikje e popullsisë është pasojë e një sulmi të ri të forcave qeveritare të diktatorit Assad, të përkrahura nga ajri nga aeroplanët rusë.
Rreth 30 mijë njerëz janë zhvendosur nga territoret e kontrolluara nga rebelët përreth qytetit Maarat al-Numan pas katër orëve të sulmeve ajrore dhe bombardimeve të shumta, të cilat ua hapën rrugën forcave siriane që të depërtojnë më thellë në provincën e Idlib-it.
Ky qytet shtrihet përgjatë një autostrade strategjike, e cila po synohet të merret nën kontroll nga forcat qeveritare, sepse i lidh qytetet Aleppo dhe Damask.
Personat që kanë pasur mundësi financiare të blejnë naftë po largohen me vetura, motoçikleta dhe kamionë.
“Aeroplanët luftarakë e shënjestruan autostradën me raketa dhe armatim të rëndë gjatë tërë rrugëtimit. Nuk e di si shpëtuam të gjallë, patëm shumë fat”, tha Ammar Karkas, baba i dy fëmijëve.
“Dy vetura me njerëz të zhvendosur, të cilat ishin vetëm dy kilometra pas nesh, u bënë cak i sulmeve dhe pesë persona u dogjën të gjallë. Nëse do të ishim vonuar, edhe ne do të ishim në mesin e të vdekurve”, shtoi ai.
Vëzhguesit dhe dëshmitarët thanë se së paku 12 civilë janë vrarë në autostradë këtë javë për shkak se aeroplanët sirianë dhe rusë i kanë bërë cak edhe veturat e civilëve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.








