Mikel Arteta i ka përcjellë urimet më të mira Enzo Marescas dhe e ka vlerësuar trajnerin italian për punën “e shkëlqyer” që ka bërë te Chelsea.
Chelsea tronditi opinionin sportiv në Ditën e Vitit të Ri, duke njoftuar se Maresca kishte lënë detyrën e trajnerit të parë, me kampionët e Botërorit për Klube që ndodheshin në vendin e pestë në tabelën e Premierligës.
“Blutë” kishin pasur një fillim premtues të sezonit 2025/26 dhe konsideroheshin si kandidatë seriozë për titullin e Premierligës, së bashku me Arsenalin, Manchester Cityn dhe Aston Villën.
Por Maresca kishte sinjalizuar një mungesë mbështetjeje që po merrte në “Stamford Bridge” pas fitores së Chelseat ndaj Evertonit muajin e kaluar, ndërsa një seri prej vetëm dy fitoresh në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet rriti ndjeshëm presionin mbi italianin.
Largimi i papritur i Marescas – pas 18 muajsh në krye – erdhi vetëm tre ditë para përballjes me Manchester Cityn.
Trajneri i ekipit U21, Calum McFarlane, ka marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës përpara udhëtimit në “Etihad”.
Trajneri i Strasbourgit, Liam Rosenior, besohet se është kandidati kryesor për stolin në Londrën perëndimore, ndërsa ka nisur kërkimi për trajnerin e shtatë të Chelseat në epokën e Todd Boehlyt.
Chelsea e Marescas e mbajti Arsenalin në barazim 1-1 në fund të nëntorit, pavarësisht se humbi Moises Caicedon me karton të kuq – një nga vetëm pesë ndeshjet ku “Topçinjtë” kanë lëshuar pikë në elitën angleze këtë sezon.
Duke reaguar ndaj largimit të papritur të Marescas përpara ndeshjes së Arsenalit kundër Bournemouth, Arteta u tha gazetarëve:
“I uroj gjithë të mirat. Më pëlqen shumë Enzo si njeri dhe si profesionist. Mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer te Chelsea. Ky është vendimi që është marrë dhe unë thjesht i uroj gjithë të mirat”, tha ai.
Atmosfera te Chelsea nuk mund të ishte më ndryshe nga ajo që ndihet brenda kampit të Arsenalit përpara udhëtimit në jug për t’u përballur me Bournemouth këtë fundjavë.
Skuadra e Artetës synon fitoren e pestë radhazi në Premierligë, pasi herën e fundit e mposhti bindshëm rivalin për titull Aston Villa me rezultatin 4-1.
I pyetur për gjendjen shpirtërore brenda skuadrës, Arteta u përgjigj: “Ishte shumë e mirë, sigurisht, pas ndeshjes kundër një kundërshtari vërtet të fortë. Të performosh dhe të fitosh në mënyrën që ne e bëmë, ishte e mrekullueshme. Tani fokusohemi te Bournemouth. E dimë sa e vështirë do të jetë ndeshja e nesërme dhe të gjithë janë të përqendruar”.
Bournemouth ia doli ta mposhtte Arsenalin dy herë sezonin e kaluar, duke fituar 2-0 në shtëpi dhe më pas duke marrë një fitore surprizë 2-1 në “Emirates”, që i dha një goditje të madhe shpresave të “Topçinjve” për titull.
“Mësuam shumë. Ishin dy ndeshje shumë të ndryshme,” tha Arteta për përballjet e sezonit të kaluar.
“William Saliba u ndëshkua papritur me karton të kuq [në ‘Vitality Stadium’] dhe pas kësaj ishte një ndeshje krejt tjetër. Krijuam disa raste, por në fund e humbëm ndeshjen. Në shtëpi, paraqitja ishte shumë dominuese, por përfundoi shumë keq për ne. Pra, ka shumë për të mësuar, respekt i madh për ta. E njoh shumë mirë Iraolën dhe ajo që po bën është e jashtëzakonshme. Kam ndjekur të gjitha ndeshjet e tyre këtë sezon dhe, kundër ekipeve të mëdha, sa të vështirë e kanë bërë lojën dhe fakti që nuk kanë marrë rezultate kundër tyre… është e vështirë për t’u kuptuar”, e mbylli Arteta./GazetaExpress/








