Raportimet në Itali thonë se Milani është i interesuar të arrijë një marrëveshje me Real Madridin për portierin Andriy Lunin, në rast se Mike Maignan largohet nga “San Siro” në përfundim të kontratës së tij, dhe “kuqezinjtë” do të shpresojnë për një ndihmë tjetër nga ylli Luka Modric.
Milani është ende në bisedime për rinovimin e kontratës së Maignan, i cili del i lirë në fund të sezonit 2025-26.
Megjithatë, raportimet e fundit pretendojnë se Maignan po kërkon një pagë vjetore rreth 8 milionë euro, ndërsa “kuqezinjtë” janë ‘ngrirë’ te shifra 5 milionë euro dhe nuk ka gjasa ta rrisin shumë më tej ofertën.
Ndërkohë, është raportuar se Juventusi, Chelsea, Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain janë të gjithë të interesuar për një marrëveshje të mundshme me portierin francez, i cili nga janari do të jetë i lirë të negociojë me çdo ekip që dëshiron.
Sipas “Tuttosport” dhe disa mediave të tjera në Itali, Milani mund të bëjë një lëvizje për portierin rezervë të Real Madridit, Lunin, nëse e humbasin Maignanin me parametër zero.
Portieri ukrainas vlerësohet rreth 25 milionë euro nga punëdhënësit e tij në “Bernabeu”, sipas “Calciomercato.com”.
Lunin aktualisht përfaqësohet nga super-agjenti portugez Jorge Mendes, me të cilin Milani ka negociuar me sukses disa herë kohët e fundit. Mendes është gjithashtu agjenti i Joao Felix, Pervis Estupinan dhe Rafael Leao.
Sipas “Calciomercato”, Milani do të shpresojë për një ndihmë tjetër nga Modric, i cili kaloi shtatë vjet me Lunin te Real Madridi dhe mund të jetë kyç në bindjen e tij për të kaluar në “San Siro” verën e ardhshme./GazetaExpress/








