Ish-deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar i bordit ekzekutiv të PSG-së, Petar Miletiq, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Serbi, duke tërhequr një paralele të fortë mes së kaluarës dhe së tashmes.
Ai theksoi se regjimi aktual në Serbi, i udhëhequr nga Aleksandar Vuciq, po ndjek të njëjtën logjikë veprimi si regjimi i viteve ’90 i Slobodan Milosheviq, duke përdorur forcën policore ndaj qytetarëve në vend të dialogut.
“Kur shqiptarët në Kosovë protestonin në vitet ’90, përgjigjja ishte gjithmonë represioni – dërgimi i policisë dhe përdorimi i dhunës. Fatkeqësisht, e njëjta gjë po ndodh edhe sot në Serbi ndaj studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre,” deklaroi Petar Miletiq.
Miletiq nënvizoi se trashëgimia politike e viteve ’90 vazhdon të ndikojë edhe sot, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një sistemi që respekton dialogun dhe të drejtat qytetare.
Sipas tij, kjo tregon qartë mungesën e aftësisë për dialog dhe kompromis politik nga ana e pushtetit serb, si atëherë ashtu edhe sot.
“Këto struktura politike nuk kanë zhvilluar kurrë kultura demokratike të komunikimit. Për ta, zgjidhja e vetme mbetet forca,” shtoi ai.








