Grupet paramilitare, të cilat kanë protestuar kundër sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara në Irak, kanë kërkuar nga përkrahësit e tyre që të largohen nga perimetri i ambasadës amerikane në Bagdad, ndonëse në terren nuk pati shenja të tërheqjes së menjëhershme.
Të ashtuquajturat Forcat Popullore të Mobilizimit, të përbëra kryesisht nga luftëtarët shiitë, thanë se mesazhi i tyre ka shkuar në vend dhe se protestuesit duhet të tërhiqen nga sulmi ndaj ambasadës.
Këto protesta paraqesin një kthesë të re të luftës në hije mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Lindje të Mesme dhe shtrojnë pyetje për praninë ushtarake amerikane në Irak. Të martën, presidenti amerikan e fajësoi Iranin për sulmin ndaj ambasadës dhe kërcënoi se ky shtet do ta paguajë një çmim të lartë për këtë veprim.
Sulmi ndaj ambasadës amerikane në Bagdad nisi si shenjë proteste ndaj sulmeve ajrore amerikane kundër një grupi militant të përkrahur nga Irani. Në këto sulme u vranë së paku 25 njerëz.
Si pasojë e këtij sulmi, Departamenti i Mbrojtjes mori vendim për dërgimin e 750 trupave shtesë në Lindje të Mesme dhe e evakuoi stafin e ambasadës në Bagdad, shkruan "Reuters", transmeton Gazeta Express.








