Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar të martën se Britania nuk duhet të quhet më Britani e Madhe, duke argumentuar se është i vetmi vend në botë që zyrtarisht e quan veten “E Madhe”.
“Mendoj se Britania duhet të quhet thjesht Britani sepse ‘Britania e Madhe’ është i vetmi shembull i një vendi që e quan veten ‘E Madhe’”, u ka thënë Lavrov gazetarëve, teksa fliste për kolonializmin në kontekst të çështjes së Grenlandës.
Ai ka përmendur edhe një shembull tjetër historik të një shteti që e kishte përdorur termin “i madh”.
“Një shembull tjetër i një vendi që e quan veten ‘e madhe’ ishte ‘Xhamahiria e Madhe Popullore Socialiste Libiane’ e udhëhequr nga Muammar Gaddafi. Por nuk ekziston më”, ka deklaruar Lavrov.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën e Donald Trumpit, synojnë të rikthejnë lidhjet me Moskën dhe të ndërmjetësojnë paqen ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Në këtë kontekst, Britanisë i është dhënë statusi i armikut publik numër një të Rusisë.
Nga ana tjetër, Britania ka deklaruar se Rusia përbën një kërcënim për Evropën. Në mes të luftës në Ukrainë, Rusia dhe vendet perëndimore kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për zhvillimin e fushatave të spiunazhit me një intensitet të paparë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.








