Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar vitin 2025 si një periudhë të suksesshme për futbollin e Kosovës, gjatë adresimit të tij në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025”.
Në fjalën e tij, Çeku vuri në pah se kombëtarja e Kosovës ka arritur rezultate që dëshmojnë rritjen e vazhdueshme dhe aftësinë për të garuar denjësisht në arenën evropiane.
“Rezultatet e Kombëtares së Kosovës, tregojnë se sot jemi një ekip konkurrues në Evropë. Paraqitjet dinjitoze në garat kualifikuese dëshmojnë se futbolli kosovar ka hyrë në një fazë serioze të zhvillimit,” u shpreh Çeku.
Ai theksoi se arritja e fazës play-off për Kampionatin Botëror përbën një hap të madh për futbollin kosovar, duke shprehur optimizëm për realizimin e këtij objektivi madhor.
“Tani që jemi në play-off për Botëror, uroj që të arrijmë kualifikimin dhe të jemi pjesë e Kampionatit Botëror,” tha ai.
Çeku u ndal edhe te kampionati vendor, duke vlerësuar përparimin e tij dhe duke theksuar se rritja e cilësisë ka ndikuar që garat të jenë më të forta dhe më tërheqëse për publikun.
Një tjetër moment i rëndësishëm, sipas tij, ishte paraqitja e klubit FC Drita në garat evropiane, të cilën e cilësoi si një sukses domethënës për futbollin kosovar dhe për imazhin e vendit jashtë kufijve.
“Paraqitja e FC Dritës ishte një sukses i veçantë, duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garat ndërkombëtare,” përfundoi Çeku./GazetaExpress/








