Në orët e para të mëngjesit të sotëm, qytetarë e familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, sot kanë protestuar në Gjakovë, për të kundërshtuar ardhjen e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse në qytetin e tyre.
Por, këshilltari i Behgjet Pacollit, ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, përmes një shkrimi të publikuar në faqen Facebook ka thënë se sot nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në Gjakovë, pasi që kjo nuk është kërkuar nga institucionet e Kosovës.
“Sot, nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në Gjakovë, sepse një gjë e tillë s’është kërkuar nga institucionet e Kosovës. Nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për këtë dhe rrjedhimisht nuk ka asgjë të planifikuar”, shkruan ai.
Zyberaj ka thënë se bashkëndiejmë shqetësimet e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës, por garantojmë të gjithë që asnjë kriminel s’do të jetë asnjëherë pjesë e grupit të pelegrinëve serbë, sepse vendi i tyre do të jetë në burg.
“Të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krimet më çnjerëzore që nga Lufta e Dytë Botërore duhet të dalin para drejtësisë”, përfundon ai.








