Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur para mediave pas mbledhjes së kryesisë së partisë. Mustafa ka thënë se janë pajtuar që 28 deputetët e LDK-së të votojnë për propozimet e Vetëvendosjes lidhur me seancën konstituive. Ai komentoi edhe videon e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për të cilën tha se e ka incizuar para dy-tri ditësh, por e ka publikuar mbrëmë, shkruan Gazeta Express.
Kryetari i LDK-së u shpreh po ashtu se nuk e sheh të arsyeshme që VV-ja të ketë doemos Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Unë nuk shoh arsye që VV të mbajë MPB-në sepse dëshiron ta luftojë korrupsionin sepse ne bashkë duhet ta luftojmë korrupsionin dhe bashkë duhet ta zhvillojmë ekonominë dhe nuk duhet t'i instrumentalizojmë ministritë”, u shpreh Mustafa.
I pyetur nëse kanë kontaktuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje që nga dje kur Kurti shpjegoi për arsyen e bllokimit të marrëveshjes, Mustafa tha se "nuk kanë nevojë të thërrasin Kurtin dhe ta pyesin se përse po incizon video dy-tri ditë më herët për ta lansuar një ditë para konstituimit të Kuvendit".
“Si po vjen me mu me bisedu e po përgatitë video dy tri ditë përpara e pastaj një natë para Kuvendit me iu drejtu popullit”, tha Mustafa.
Ai tha se së pari duhet të përmirësojmë sjelljen në dialogun mes VV-së dhe LDK-së.
“Të ulemi duke respektuar njëri tjetrin sepse Qeverinë duhet me bë vet dhe nuk vjen askush nga jashtë për të na formuar qeverinë”, deklaroi kryetari i LDK-së. /GazetaExpress/








