Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar lidhur me rrjedhën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje. Mustafa ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë maksimalisht mandatin që ka, meqenëse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas datës 4 shkurt, atëherë edhe kur përfundon afati i Kurtit për të krijuar Qeverinë.
I pari LDK-së ka thënë për RTV21 se ende ka gjasa për koalicion me Vetëvendosjen, por pa hequr dorë nga oferta e LDK-së që përfshin kërkesën që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie.
“Mendoj se kjo është çështje e Vetëvendosjes, që z. Kurti duhet ta shfrytëzojë maksimalisht mandatin që e ka. Ajo pas datës 4 shkurt është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të japë një përgjigje të tillë. Në vullnetin tonë e kemi pasur dhe e kemi ta përmbyllim këtë koalicion me Vetëvendosjen, por natyrisht duke respektuar njëra-tjetrën si palë të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Mustafa. Gazeta Express








