Skuadra e Napolit e ka marrë fitoren e dytë radhazi në Serie A dhe kështu vazhdon shkëputjen në kreun e tabelës.
Të besuarit e Antonio Contes fituan minimalisht ndaj Lecces, shkruan “Gazeta Express”.
Napoli triumfoi 1-0 në “Via del Mare”, me golin e shënuar nga Franck Zambo Anguissa.
Pas pjesës së parë pa gola, pjesa e dytë ishte më e gjallë.
Në minutën e 56-të, Lecce pati mundësinë ideale të dalë në epërsi, mirëpo Francesco Camarda nuk ishte i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Penalltinë e tij e priti portieri i Napolit, Vanja Milinkovic-Savic.
Në një ndeshje mjaft të vështirë, Napoli më në fund e gjeti golin e epërsisë në minutën e 69-të, pasi Anguissa shënoi me kokë.
Me këtë fitore, napoletanët mbeten në pozitën e parë, me 21 pikë, tri më shumë se Roma në vendin e dytë, dhe katër më shumë se Milani i vendit të tretë, i cili pas pak do të luajë ndaj Atalantas.
I ftuar për këtë ndeshje ishte edhe kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, mirëpo nuk u paraqit fare në fushë, pasi sapo është kthyer nga lëndimi.
Te Lecce luajtën dyshja shqiptare, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha. I pari e kompletoi ndeshjen, teksa Berisha luajti për 77-të minuta.
Ndeshjen e ardhshme, Napoli e luan ndaj Comos në fundjavë./GazetaExpress/








