Mbrëmë në Beograd u mbajt një protestë e studentëve dhe qytetarëve kundër dhunës brutale që policia përdori një ditë më parë në Novi Sad. Pas përfundimit të tubimit në parkun Ušće, policia ndërhyri me arrestime masive të studentëve.
Sipas raportimeve dhe njoftimeve të studentëve, forcat e rendit ndalonin autobusë, kontrollonin të rinjtë dhe kryenin arrestime. Këtë e konfirmuan edhe studentët e Fakultetit Juridik, të cilët ndodhen në bllokadë.
Studentët në bllokadë njoftuan në rrjetet sociale se policia po ndalonte grupe personash në zonën e Novi Beograd dhe po arrestonte këdo që haste. Në pamjet e publikuara nga ata shihet një grup studentësh i rrethuar nga policë të pajisur me mjete të plota për ndërhyrje.
Në rrjetet sociale qarkulloi edhe një video tjetër ku shfaqet një përpjekje për shoqërim të studentëve. Sipas përshkrimit të publikuar, studentët po ktheheshin nga protesta drejt fakultetit kur policët dolën papritur nga një automjet policor dhe nisën t’i ndiqnin pa paralajmërim dhe, siç thuhet, pa arsye.
Gjithashtu, studentët e Fakultetit të Bujqësisë në bllokadë publikuan fotografi ku shihen të rinj të rreshtuar pranë një muri, teksa policia kryente kontrolle dhe arrestime në afërsi të qytetetit të studentit.
Србија под окупацијом. pic.twitter.com/YWJu4ZFjop
Sipas të dhënave të bëra publike nga studentët, mbrëmë u arrestuan të paktën gjashtë të rinj nga fakultete të ndryshme, ndërsa një studente u lirua më vonë.
Protesta u mbajtën mbrëmë edhe në disa qytete të tjera të Serbisë, përfshirë Nish, Valjevë dhe Caqak pas rrahjes së dhunshme të studentëve në sheshin e Novi Sadit.








