Një menaxher i projekteve për Fondacionin Anti-korrupsion të opozitar rus, Aleksei Navalny, është dërguar për shërbim të detyrueshëm ushtarak në pjesën veriore të Rusisë.
Ruslan Shaveddinov, 23 vjeç, u arrestua në banesën e tij në Moskë dhe u dërgua 5600 kilometra larg saj, në ishullin Nova Zemlya, për të shërbyer në një bazë ajrore në Oqeanin e Ngrirë të Veriut.
Navalny, i cili e ka sfiduar vazhdimisht pushtetin e presidentit Vladimir Putin dhe që ka publikuar raste të ndryshme të korrupsionit, e fajësoi Kremlinin për dërgimin e punëtorit të tij në veri për shërbim ushtarak.
“Duket se vetë Putini e ka hartuar planin për ta izoluar Ruslanin tonë”, shkroi politikani rus në Twitter.
Shaveddinov-i u arrestua në bazë të një urdhri të gjykatës, me të cilin nuk u mor parasysh ankesa për probleme shëndetësore, të cilat do ta lironin nga shërbimi i detyrueshëm.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e meshkujve që i mbushin 18 vjet dhe ky shërbim duhet të kryhet para moshës 28-vjeçare.
Qeveria ruse njihet për shtypjen e zërave kritikë dhe figurave opozitare. Policia e këtij shteti arrestoi shumë persona që protestuan kundër qeverisë gjatë verës së kaluar, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.








