Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thënë se po zgjidhet problemi i ndotjes së mjedisit nga qeset e plastikës. Ai në një konferencë në kuadër të projektit “Për një jetë të shëndetshme, pa qese plastike” tha se qeset dhe shishet e plastikes janw ndër armiqtë më të mëdhenj të mjedisit.
Përderisa në Kosovë niveli i ndotjes së ajrit sa vjen e rritet, kjo Ministri ende nuk ka një plan konkret se si të menaxhohet kjo problematikë.
Ajri i ndotur në disa komuna të Kosovës e në veçanti kryeqyteti ka alarmuar banorët të cilët në orët e mbrëmjes detyrohen të lëvizin me maska në qytet, shkruan Gazeta Express.
Ndër të tjera në këtë konferencë Ministri Matoshi është shprehur se qeset dhe shishet e plastikës kanë ndikim edhe në shëndetin e qytetarëve.
“Qeset e plastikes i kemi çdo kund, në natyrë, brezit rrugor, për më tepër janë përdorë edhe si mjet për me mbledh mbeturina dhe prapë janë hedhë në rrugë”, tha Matoshi.
Nga kjo Ministri në një përgjigje të përgjithësuar dërguar Gazetës Express ditë më parë nuk kanë njoftuar se çfarë masa konkrete do të ndërmarrin për zbutjen e ndotjes sw ajrit tash që temperaturat kanë shënuar zbritje.
Ndërkohë që niveli i ndotjes së ajrit veçanërisht në Prishtinë po shënon vlera alarmante nga matësi i Cilësisë së Ajrit i vendosur në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Megjithatë duket se një gjë e tillë s’po i pëlqen Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët s’kanë arritur të ndalin shitjen dhe përdorimin e thëngjillit në Kosovë, i cili është një prej burimeve kryesore të ndotjes në Kosovës.
Nga kjo Ministri deri tani kanë vendosur vetëm disa monitorë që tregojnë se sa i ndotur është ajri.
Në një reagim të lëshuar nga kjo ministri që drejtohet nga Fatmir Matoshi i AKR’së, thuhet se të dhëna zyrtare për cilësinë e ajrit në Kosovë janë vetëm ato që prezantohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, madje paralajmërojnë edhe masa nga Inspektorati nëse nuk zbatohen kërkesat ligjore të MMPH’së.
Përveç tjerash thuhet se nga kjo ministri kanë përcjellë edhe raportimet në media të cilat për cilësinë e ajrit iu referohen, siç i kanë quajtur nga MMPH, “burime të ndryshme, që nuk janë të autorizuara për të monitoruar cilësinë e ajrit në Kosovë”.
Në këtë komunikatë për media gjithashtu janë dhënë sqarime se si bazuar në ligjet e vendit, e drejta për matjen e cilësisë së ajrit në Kosovë i takon vetëm Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndryshe në Kosovës, rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit. Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër. Në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane./GazetaExpress/








