Beogradi, në vend që të punojë me partnerët në Bashkimin Evropian (BE) për të zhbllokuar procesin e integrimeve evropiane, po luan me kartën e ngadalësimit apo edhe dështimit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Sipas javores serbe Nedeljnik, duke iu referuar burimeve në shtetet anëtare dhe institucionet evropiane, Serbia mund të destabilizojë Malin e Zi për t’i dhënë Francës një justifikim për të ndalur procesin e zgjerimit.
Sipas këtyre burimeve, disa vende anëtare – veçanërisht Franca, Belgjika dhe Holanda – po presin një mundësi për të frenuar përparimin e Malit të Zi në negociatat me BE-në, çka do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në vendet e tjera të rajonit.
Raporti thekson se qeveria franceze do të ishte e gatshme të përdorte një destabilizim eventual të Malit të Zi si arsye për të bllokuar Podgoricën, dhe rrjedhimisht edhe të gjithë Ballkanin Perëndimor, në rrugën drejt BE-së. Megjithatë, për momentin, presidenti francez Emmanuel Macron shihet si faktor frenues ndaj një skenari të tillë.
Franca po i afrohet një viti zgjedhor dhe zgjerimi i BE-së mbetet temë jopopullore në opinionin publik. Në këto rrethana, një krizë politike apo institucionale në Mal të Zi do të mund të shërbente si argument për pezullimin e procesit të integrimit.
Sipas burimeve të cituara, në disa qarqe pro-zgjerimit brenda BE-së ekziston dyshimi se Beogradi mund të shfrytëzojë rrethanat politike në Mal të Zi për ta destabilizuar atë, duke “ia servirur në tabaka” Parisit një arsye për bllokim.
Nuk bëhet fjalë për lobim të drejtpërdrejtë kundër Malit të Zi, por për përfitim nga klima ekzistuese politike në disa kryeqytete evropiane që nuk janë entuziaste për zgjerimin.
Sipas raportit, pozicioni ndërkombëtar i Serbisë është ndër më të dobëtit që nga viti 2000. Vendimet e fundit për ndryshimet në ligjet e drejtësisë, që sipas kritikëve cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, kanë dëmtuar kredibilitetin e Beogradit në institucionet evropiane.
Burime nga BE pretendojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë se nuk do të nënshkruante ligje që vënë në pikëpyetje sundimin e ligjit, duke e vështirësuar më tej rrugën e Serbisë drejt integrimit.








