E intervistuar për “TVP Sport”, Alicja Szczesna, nëna e Wojciech Szczesnyt, ka folur për ndryshimin e mendjes së djalit të saj, i cili pasi e kishte mbyllur eksperiencën me Juventusin kishte vendosur t’i vendoste dorëzat në gozhdë, përcjell “Gazeta Express”.
Por, gjithçka ndryshoi kur atë e thirri Barcelona, e cila kishte nevojë për një portier me përvojë pas lëndimit të portierit gjerman, Andre Ter Stegen.
Këto ishin fjalët e nënës së portierit polak:
“Wojciech është një i rritur, nuk i bëj kurrë presione. Ai e di se për çka ka nevojë në jetë. Këto janë vendime të tij dhe ia respektoj gjithmonë vendimet që i merr. E di se po të mos ishte bërë fjalë për Barcelonën, Wojciech do të pensionohej përfundimisht. Nuk mund t’i thuash jo një klubi të tillë”, deklaroi fillimisht nëna e ish-portierit të Arsenalit, Romës e Juventusit.
"Kush nuk do të donte të luajë për Barcelonën? Wojciech e kishte marrë me seriozitet vendimin për pensionim. Por, shkoi kështu dhe siç mund ta shihni, është i lumtur, i plotësuar, fitoi trofe të tjerë dhe llogarisim në Ligën e Kampionëve në këtë sezon”, përfundoi ajo.
35-vjeçari e mori pozitën e titullarit në këtë sezon duke mbrojtur në dy ndeshjet e fundit të La Ligës dhe në sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit. /Gazeta Express








