Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se në rast të dështimit të arritjes së një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, atëherë zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm, shkruan Gazeta Express
Megjithatë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përmendur edhe opsione të tjera të krijimit të qeverisë në rast se dështon koalicioni me partinë e Kurtit.
Një gjë të tillë e ka thënë ish-nënkryetari i LDK-së tashmë anëtar i kryesisë, Haki Rugova. Në një intervistë për Frontonline, Rugova ka përmendur variante të tjera, edhe pse Lutfi Haziri mbrëmë në një intervistë ka potencuar se këtë mandat LDK-ja e sheh VV-në si të vetmin opsion për bashkëqeverisje duke theksuar se asnjëra prej partive s’kanë opsione të tjera.
“Kërkesat janë të njohura publikisht, por edhe ofertat. Se a do të arrihet marrëveshja varet nga ekipi negociator (kryesia) në krye me Isa Mustafën. Ta shohim a do të arrihet. Besoj që duhet të arrihet. Nëse nuk arrihet marrëveshja, shikojmë se ekzistojnë variante tjera plot, ka variante B, C. Shteti nuk guxon të kollapsojë, duhet të funksionojë. Mundet me u bo qeveria edhe pa Vetëvendosjen”, ka thënë Rugova më 8 janar.
Ndërkohë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën që i ka dërguar sot kreut të VV-së, Albin Kurti, i ka kërkuar t’i tregojë nëse VV-ja do të mandatojë ndonjë emër për kryeministër apo nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që siç potencohet ne letër të vazhdohet me mundësitë e tjera që jep Kushtetuta.
Këtu Thaçi ka përmendur pikën 87 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të cilën nuk përjashtohet mundësia që partia e parë të refuzojë të propozojë një emër për kryeministër, dhe që i hap rrugë më pas presidentit të Republikës së Kosovës të mandatojë dikë tjetër për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion edhe përkundër faktit që kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Përgjatë këtyre vonesave presidenti Thaçi ka qenë aktiv, duke i dërguar një seri letrash kreut të VV-së ku i kërkonte takime për të diskutuar rreth mandatimit për kryeministër.
Ndërkohë tashmë Kurti dhe Mustafa pas zhvillimeve të 26 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit janë takuar 3 herë radhazi. Kanë thënë se ka pasur lëvizje të pozicioneve. LDK-ja ndërkohë ka treguar se i kanë bërë një ofertë konkrete LV-së në takimin e të enjtes, ku nuk kishte dalë para mediave asnjë zyrtar për të treguar se çfarë ka ndodhur brenda takimit. /GazetaExpress/








