Neymari duket se ende s’ka arritur ta kalojë tronditjen që e kishte përjetuar sezonin e kaluar kur Manchester Unitedi e kishte eliminuar Paris Saint-Germainin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. Braziliani së fundi e ka lënë një koment qesharak në një postim të Marcus Rashfordit, i cili e postoi një foto për ta kujtuar atë fitore tronditëse të Djajve të Kuq.
Gjyqtari i ndeshjes e akordoi një penallti në minutat shtesë të ndeshjes, pasi një goditje e Diogo Dalotit u ndal nga krahu i Presnel Kimpembe. Ky incident u shqyrtua edhe nga VAR-i, transmeton Gazeta Express.
Marcus Rashfordi përfitoi nga kjo mundësi e artë dhe e shënoi golin që e kualifikoi Manchester Unitedin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për shkak të epërsisë së golave të shënuar si mysafirë. Neymari më vonë ishte dënuar nga UEFA, për shkak të një deklaratë në Instagram lidhur me atë penallti.
“Kjo është e turpshme. UEFA i zgjodhi për ta rishikuar incidentin katër njerëz që nuk kanë lidhje me futboll. Ajo prekje me dorë thjesht nuk ekziston”, kishte shkruar Neymar në llogarinë e tij në Instagram.
“Si mund të akordosh penallti për prekje me dorë pas shpinës? Ahh, q***eni veten!”, përfundoi braziliani, i cili mungoi në atë ndeshje për shkak të një lëndimi që e kishte pësuar në fillim të vitit 2019.
Tani, Rashfordi e posoti sërish një foto të tij duke e shënuar golin e fitores të asaj nate, të cilën e përkrahu me fjalët “6 mars 2019. Çfarë nate”.
Neymari i komentoi Rashfordit, duke shkruar: “Natë e dreqit”, përderisa këto fjalë i përcjelli me emotikone që simbolizojnë të qeshurën.

Manchester Unitedi e kishte humbur me rezultat 2:0 ndeshjen e parë të zhvilluar në Old Trafford, mirëpo kishte arritur të kalojë në çerekfinale për shkak të epërsisë së golave të shënuar si mysafirë, përmes golit të Rashfordit nga penalltia në minutat e fundit të ndeshjes që ia Manchester Unitedit fitoren 3:1 në Parc des Princes. /Gazeta Express/








