I kërkuari kryesor për sulmin terrorist në Kosovë, Milan Radoiçiq, ka nisur të bëjë presione edhe brenda Serbisë. Njeriu që konsiderohet organizatori kryesor i sulmit në Banjskë, dhe që vazhdon të gëzojë mbështetje nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tani po përfshihet në frikësimin dhe shantazhimin e qytetarëve serbë para zgjedhjeve lokale.
Sipas informacioneve nga Bajina Bashta, ku më 29 mars do të mbahen zgjedhjet lokale, Radoiçiq dyshohet se ka kontaktuar personalisht biznesmenë të këtij qyteti duke u dorëzuar lista me emra të qytetarëve që mbështesin opozitën ose kanë marrë pjesë në protesta kundër pushtetit.
Urosh Gjokiq nga lista opozitare “Të Bashkuar për Bajina Bashta” ka deklaruar për N1 se biznesmenëve u është bërë presion që të ndikojnë te punonjësit e tyre që të mos dalin në votime. Në të kundërtën, sipas tij, ata janë kërcënuar me pasoja ekonomike.
Sipas Gjokiqit, mesazhi i përcjellë nga njerëz të lidhur me pushtetin dhe me struktura kriminale është i qartë: nëse personat që janë në listë dalin në zgjedhje dhe votojnë për opozitën, ata mund të pushohen nga puna, ndërsa kompanitë ku punojnë mund të humbasin kontratat dhe mundësitë për biznes.
Ai thotë se presioni në këtë komunë është rritur ndjeshëm ditët e fundit. Madje, sipas tij, në hidrocentralin e Bajina Bashtës janë marrë vendime për ndryshimin e kontratave të punës dhe uljen e koeficientëve të pagave për disa punonjës që dyshohet se mbështesin opozitën ose kanë marrë pjesë në protesta.
Gjokiq pretendon se përveç kërcënimeve, pushteti po përdor edhe forma të tjera ndikimi për të siguruar vota. Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ofron përfitime të ndryshme për qytetarët – që nga përshpejtimi i trajtimeve mjekësore e deri te pajisje shtëpiake apo ndihma të tjera materiale.
Ndërkohë, studentët në bllokadë kanë paralajmëruar se më 14 mars do të organizojnë tubime në qytetet ku në fund të muajit do të mbahen zgjedhjet lokale, përfshirë edhe Bajina Bashtën. Tubimet pritet të mbahen nga ora 16:00 deri në 19:00.








