Një rinoqeront që besohet se ishte më i vjetri në botë ka ngordhur në Tanzani në moshën 57-vjeçare.
Rinoqeronti i zi, i njohur me emrin “Fausta”, ishte gjetur për herë të parë në Ngorongoro në vitin 1965, kur i kishte tri vjet.
Viteve të fundit, shëndeti i kësaj kafshe ishte rënduar, prandaj ndodhej vazhdimisht nën mbikëqyrjen e ekspertëve të rinoqerontëve.
Në vitin 2016, rinoqeronti kishte probleme me sy dhe vuante nga pasojat e gjata të sulmeve nga hienat.
Sipas të dhënave, ky rinoqeront ishte më i vjetri në botë. Në natyrë, këto kafshë jetojnë zakonisht nga 37 deri 43 vjet.
Rinoqerontët e zinj janë në listën e specieve të rrezikuara nga zhdukja. Numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël për shkak të vlerës së madhe të bririt të tyre dhe sulmeve nga gjahtarët ilegalë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.








