Kosova U18 e fitoi sot ndeshjen në tavolinë ndaj Serbisë U18, pasi kundërshtari nuk u paraqit në ndeshjen e vlefshme për plasman në pozitën e 5-të në CEV U18 kualifikimet për EuroVolley.
Arsyeja zyrtare e ekipit serb, ka qenë se “9 lojtarë të formacionit të Serbisë kanë qenë me temperaturë, duke u pamundësuar daljen në teren”, shkruan Gazeta Express.
Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, në një lidhje direkte në emisionin “Favorit” në T7, tha se dyshon që ajo të jetë arsyeja e vërtetë për mos zhvillimin e kësaj ndeshjeje.
Nikqi zbuloi edhe bisedat me homologë nga Federata e Serbisë, nga të cilët u është thënë se ata duan të luajnë edhe ndaj Kosovës, por që këtë e kanë të ndaluar nga shteti i tyre.
“Dje morëm vesh se na bie të takohemi me ekipin e Serbisë, kështu që pak a shumë kemi pasë dyshimet tona që Serbia nuk do ta zhvillojë këtë ndeshje. Kemi pasë raste të tilla edhe në Beach Volley, ku u arsyetuan për lëndime. Sot nuk luajtën me arsyetimin që nëntë lojtarë janë me temperaturë të lartë, kështu që ndeshja u regjistrua me rezultat zyrtarë në favor të Kosovës. Nuk e besoj këtë arsyetim, kam dyshime. Serbia në të gjitha garat tenton t’i ikë garave me shtetin e Kosovës. Këtë problematik e kemi disktuar disa herë me zyrtarët e Federatës së Serbisë, por na kanë thënë që një gjë të tillë e kanë të ndaluar nga shteti i Serbisë. Më shumë e kisha quajtur si problem politik sesa shëndetësor”, tha fillimisht ai.
“Për ne fitorja është e mirëseardhur, pasi na ka mundësuar të kualifikohemi në fazën tjetër, kurse Serbia është eliminuar nga garat. Por, ne do të kërkojmë të merën të gjitha masat ndaj tyre. Do të mundohemi që Federata e Serbisë të ndëshkohet sipas normave përkatëse. Ne si Federatë kemi marrë të gjitha hapat, kemi bërë të gjitha ankesat. Edhe në të kaluarën në takimet tona me Federatën Evropiane, e kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar që këto raste të ndëshkohen. Por, deri tani nuk ka diçka konkrete. Mirëpo, ne do ta bëjmë të tonën që ata të ndëshkohen, edhe pse na kanë thënë se një gjë e tillë nuk u lejohet nga shteti serb”, shtoi sekretari i FVK-së.
Në fund, Nikqi tha se do të aplikojnë si Federatë që faza e dytë e kualifikimeve për “EuroVolley” të zhvillohet në Kosovë.
“Ne do të aplikojmë që fazën e dytë ta organizojmë në Kosovë. Me siguri se do të përgatitemi më mirë pasi është fazë më e vështirë. Djemtë kanë krijuar sadopak përvojë dhe shpresoj në paraqitje më të mira. Shpresoj që Federata Evropiane t’ia besoj FVK-së organizimin”, deklaroi sekretari, Valon Nikqi.
Emisioni “Favorit” transmetohet çdo të diel në T7, si dhe në kanalin zyrtar të televizionit në “YouTube”. /Gazeta Express/








