Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca e parë shqyrtuese për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar të 2018-s para partisë së tij në veri të Mitrovicës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 2 dhjetor të këtij viti ndaj gjashtë personave që dyshohet se morën pjesë në vrasjen e Ivanoviqit.
Të akuzuarit janë Nedelko Spasojeviq, Marko Rosiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara.
Kryetar i trupit gjykues në këtë çështje penale është gjyqtari special Valon Kurtaj, ndërsa prokurori special është Blerim Isufaj.
Oliver Ivanoviq mëngjesin e 16 janarit u qëllua me pesë plumba në hyrje të selisë të partisë.
Ish-lideri i serbëve të Kosovës fillimisht është gjetur i plagosur nga disa nxënës që po shkonin në shkollë.
Më pas është lajmëruar për rastin edhe Policia e Kosovës.








